|
|
Merhaba Gallata - Lorik Cana transferohet ne Turqi tek Gallatasaraj
|
Mediat turke e kanë konsideruar si goditjen “bombë” të Gallatasarajit, afrimin në skuadrën e njohur të kryeqytetit të këtij vendi, nënshkrimin e një kontrate 4-vjeçare me futbollistin shqiptar, përfaqësuesin ndërkombëtar të fanellës kuqezi, tash sa vite. Përmes një deklarate për shtyp, të publikuar edhe në faqen zyrtare të Gallatasarajit, merret vesh se Lorik Cana, i cili luajti edicionin e shkuar si mesfushor i FC Sunderland, në Premier Ligën angleze, nga dita e sotme është lojtar i tyre. “Futbollisti shqiptar, Lorik Cana, që ka luajtur së fundi, për 1 vit, me FC Sunderlandin në Angli, ka nënshkruar me klubin tonë një kontratë katër vjeçare.”
Fillimisht si lojtar i Paris SG në Francë, ku nisi karrierën si futbollist profesionist, Lorik Cana, 26-vjeçar, midis viteve 2005-2009 ka luajtur edhe me Olimpik të Marsejës, ndërsa sezonin e fundit ka qenë pjesë e Sunderlandit, në “Premier League”, në Angli, njofton gazeta e mirënjohur turke, “Fanatik”. E cila, në shkrimin e saj për këtë transferim, shton edhe një detaj plotësues. “Për këtë transferim të Lorik Canës, nga Sunderlandi te Gallatasaraji, klubi turk ka paguar 4.5 milionë euro,” – saktëson “Fanatik”. Ndërkohë, gazeta tjetër sportive turke, “Fotomac”, ka nënvizuar: “Gallatasaraji shpërthen “bombën”, teksa ka firmosur një kontratë 4-vjeçare me mesfushorin Lorik Cana, I cili luajti edicionin e shkuar në Angli, me FC Sunderlandin. Futbollisti shqiptar, I lindur në Kosovë, u zhvendos në Lozanë të Zvicrës, ku edhe e filloi karrierën e tij futbollistike, si një amator. Në mes të viteve 2000-2002, ai luajti me ekipin e të rinjve të Paris SG, në Francë. Ndeshjen debutuese me ekipin e parë të Paris SG e luajti më 19 prill 2003, kundër Nantës. Në fillim të sezonit 2005-2006, Cana u transferua tek Olimpiku i Marsejës, ku ndeshjen e parë me këtë fanellë e zhvilloi më 27 gusht 2005, ndërsa golin e parë marsejez e shënoi më 16 tetor 2005, kundër ish-klubit të tij, Paris SG, në fund të ndeshjes, e cila mbaroi 1-0. Në fillim të sezonit 2007-2008 u bë kapiten i ekipit të Marsejës. Më 24 korrik 2009, futbollisti shqiptar, për katër vjet, në këmbim të 6 milionë eurove, u transferua tek FC Sunderland, në Angli.“
Sikurse duket, Cana ka mbërritur në një klub të njohur europian, me histori të pasur jo vetëm në Turqi, por edhe në eventet kryesore ndërkombëtare. Si një stacion tjetër i karrierës së tij tejet pozitive, ndoshta më e mira e futbollistëve shqiptarë.
Cana: Pse jam duke shkuar te Gallatasaraji
Lorik Cana ka zbuluar pse është i prirur të kalojë tek ekipi turk i Gallatasarajit. Futbollisti shqiptar thotë se vendimi për ta lënë Sunderlandin nuk ishte i lehtë. Por, ka predominuar në një masë të madhe fakti që Gallatasaraji do të luajë në Ligën e Kampionëve, gjë të cilën nuk ia mundësonte dot Sunderlandi. Megjithatë, ish-kapiteni i Sunderlandit ka zbuluar edhe një tjetër arsye kryesore, në vendosjen e tij në Stamboll, që ka të bëjë me qëndrimin më afër familjes së tij dhe Shqipërisë. Ai thotë se do të ketë nostalgji për kohën që kaloi te Sunderlandi, ku ka kujtime të bukura. Ndaj nënvizon: “Që në ditën e parë që kam shkelur në klubin e Sunderlandit, kam pasur një histori të mahnitshme me këtë skuadër. Unë e dija se do të gjeja llojin e klubit dhe mbështetjen e nevojshme për të luajtur sfidën time në Angli. Njerëzit dhe dashuria e klubit karshi meje, por edhe tërë futbollistëve, është e jashtëzakonshme, e vecantë. Ata kanë një pasion ta madh për skuadrën e tyre të zemrës, identitifikohen me Sunderlandin. Dhe kjo është mënyra e duhur për të ecur përpara një klub futbolli. Personalisht kam dhënë gjithcka për klubin e Sunderlandit, i cili do të jetë gjithmonë në kujtesën time. Unë kam qenë gjithnjë i joshur nga mundësia për të luajtur në kompeticionet europiane, më konkretisht në Ligën e Kampionëve, dhe sidomos për të qenë pranë familjes time. Ndaj edhe vendosa të bëhem pjesë e Gallatasarajit. Ky nuk ishte një vendim i lehtë për mua, ndaj shpresoj që njerëzit të më kuptojnë. I falënderoj të gjithë në Sunderland, stafin drejtues të klubit, shtabin teknik të skuadrës, ekipin mjekësor, bashkëlojtarëlojtarët e mi dhe, natyrisht, tifozët. Uroj klubin e Sunderlandit që të arrijë gjithçka që meriton, të vazhdojë të ngjitet sa më lart”
Lorik Cana zhvilloi 35 ndeshje me Sunderlandin, gjatë 1 sezoni, pas bashkimit me skuadrën angleze, i ardhur nga Marseja, verën e kaluar.
Bruce: Cana donte të ishte pranë familjes
Manaxheri i Sunderlandit, Steve Bruce, thotë se lëvizja e Lorik Canës drejt Gallatasarajit ishte e motivuar nga dëshira e tij për të qenë pranë familjes. Cana, 26-vjecar, u bashkua me palën turke për një tarifë të madhe, prej 6 milionë eurosh, sot, pas një sezoni në “Wearside”. Bruce tha: “Stili i të luajturit të Lorikut dhe qëndrimi i tij në ndeshje e bëri atë një zgjedhje të natyrshme, si kapiten, sezonin e fundit, por kur u kthye për trajnimin para sezonit të ri, ishte e qartë dëshira e tij për t’u kthyer në Europë. Turqia është më afër me Shqipërinë, ku familja e tij i ka rrënjët. Unë mendoj se ky ishte një faktor i madh për të. Ne e falënderojmë Lorikun për kohën dhe cka dha këtu, i urojmë atij fat më të mirë në të ardhmen.”
Bruce tha se tani duhet të mendojë mirë, që të caktojë si kapitenin e tij të ardhshëm një lojtar, i cili të ketë sukses si Cana, që zhvilloi sezonin e vetëm në Angli me shiritin e kapitenit në krah.
SportiShqiptar
|
|
| |