Flag this image

Sali Berisha - Shqiperia po ndryshon - Kongresi zgjedhor i Partise Demokratike

Kryeministri shpalos projektin e madh të katër viteve të ardhshme: Shqipëria europiane është zotimi ynë

Berisha nis marshimin e fitores së 28 qershorit

Partia Demokratike prezantoi programin e reformave për qeverisjen e vendit në katër vitet e ardhshme, në një atmosferë jashtëzakonisht entuziaste, që përçonte mesazhet e qarta të fitores në zgjedhjet e qershorit. Pallati i Kongreseve ku zhvilloi punimet Kongresi Elektoral i partisë më të madhe në vend, dukej dje shumë i vogël për të mundësuar një vend për të gjithë mbështetësit dhe simpatizantët që kishin ardhur për t'u njohur me programin qeverisës të katër viteve të ardhshme dhe në sytë e të cilëve mund të dalloje lehtësisht entuziasmin e triumfit. Flamujt e NATO-s dhe BE-së me ngjyrat e tyre të ëmbla krijonin një kombinim perfekt me simbolet e Partisë Demokratike, kjo jo aq për sfondin e njëjtë, por më tepër për atë që kjo parti ka bërë që nga themelimi i saj për orientimin dhe integrimin e vendit drejt strukturave euroatlantike. Simbole të NATO-s dhe BE-së, shpirti orientues i Partisë Demokratike që në themelet e saj, t`i zinte syri kudo në sallën e tejmbushur të Pallatit të Kongreseve. Pas katër vitesh të suksesshme me reforma dhe arritje që as nuk mund të imagjinoheshin në vitin 2005 kur vendi ishte zhytur në terrin e korrupsionit, bandave kriminale dhe varfërisë ekstreme, është mëse legjitime prezantimi i programit të ardhshëm të fitores nën një atmosferë kaq madhështore. Mbërritja e arkitektit të këtyre reformave dhe rezultateve, kryeministrit Berisha, ka ngritur në këmbë sallën, e cila shpërtheu në ovacione, ndërsa fishekzjarre me shirita shumëngjyrëshe u derdhën në hapësirën e mbetur. Në fjalën e tij, kryetari i Partisë Demokratike, njëkohësisht kryeministër i vendit bëri një përmbledhje të reformave të ndërmarra që mundësuan anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO, firmosjen e MSA-së dhe aplikimin për statusin e vendit kandidat për anëtarësimin e plotë në BE. Ai e vuri theksin në luftën me zero tolerancë që qeveria e Partisë Demokratike nisi që në ditën e parë të ardhjes së saj në pushtet, duke ndryshuar imazhin e nxirë të vendit në arenën ndërkombëtare. Duke u ndalur në objektivat kryesore të qeverisjes së Partisë Demokratike në mandatin e dytë, Berisha e vuri theksin në liberalizimin e plotë të vizave me Bashkimin Europian brenda vitit të parë të mandatit tjetër, ndërsa siguroi se periudha 2009-2013 do të jetë përcaktuese për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kryeministri garantoi thellimin e mëtejshëm të reformave të ndërmarra gjatë mandatit të parë, duke premtuar një zhvillim të shpejtë e të qëndrueshëm të vendit. Reforma të thella dhe të gjithanshme ishte kryefjala e programit qeverisës të Partisë Demokratike për katër vitet e ardhshme. Rritja e pagave dhe pensioneve, punësimi, vazhdimi i revoluzionit fiskal me uljen e mëtejshme të taksave dhe reformimi i agjencive për rritjen e investimeve të huaja, ishin disa nga piketat e programit të PD-së. Gjithashtu, kryeministri e vuri theksin në vazhdimin e reformës në arsim dhe shëndetësi, duke nënvizuar se shkollimi europian i fëmijëve shqiptarë do të jetë përparësi e të gjitha përparësive. Duke u ndalur në objektivat e programit të PD-së për rritjen e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë, Berisha premtoi se brenda vitit 2010 nuk do të ketë shqiptar që do të jetojë me ndihmë ekonomike nën dy dollarë në ditë. "Zotimi ynë solemn është që në katër vite qeveria jonë do të punësojë 180 mijë qytetarë shqiptarë", tha më tej Berisha, gjatë paraqitjes së programit elektoral të PD-së për katër vitet e ardhshme. Gjithashtu, kreu i ekzekutivit tha se në porgramin e Partisë Demokratike është parashikuar shndërrimi i Shqipërisë në një vend me një rrjet rrugor modern, ku çdo fshat do të lidhet me rrugë të asfaltuar me qendrën e komunës dhe çdo komunë me qytetet përkatëse. Në aspektin e rrugëve nacionale, kreu i qeverisë e vuri theksin në dhënien përparësi të korridoreve që nxisin zhvillimin ekonomik të vendit dhe fuqizojnë portet shqiptare në Ballkan.





Qindra organizata kriminale u shkatërruan dhe mijëra anëtarë e drejtues të tyre u vendosën para drejtësisë

Lufta ndaj krimit e ktheu Shqipërinë ndër vendet më të sigurta në Ballkan

Forcimi e garantimi i rendit e sigurisë publike, individuale e komunitare kanë përbërë angazhimin parësor të mazhorancës së djathtë në mandatin e parë të saj qeverisës. Motoja e qeverisë në këto katër vjet kundër këtij fenomeni ka qenë, "Tolerancë zero ndaj krimit". Lufta kundër krimit të organizuar, trafiqeve në përgjithësi dhe atyre të drogës e qenieve njerëzore në veçanti, si dhe lufta kundër pastrimit të parave kanë patur një përparësi absolute. Për këtë qëllim, janë bërë edhe ndryshime ligjore në Kodin Penal për dënime maksimale dhe nivel të prerë dënimi për këto vepra penale. Shqipëria ka përmbushur në mënyrë aktive dhe të përkushtuar të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë e saj në luftën globale kundër terrorizmit, si rreziku dhe armiku numër një i paqes, sigurisë dhe jetës së popujve. Krimi ordiner është ndëshkuar dhe lufta kundër tij është gërshetuar edhe me masa efektive parandaluese. Qytetet, fshatrat, rrugët, rrugicat, bankat e bizneset, lokalet dhe stadiumet dhe çdo cep i vendit tashmë janë tërësisht të garantuar dhe të sigurta më shumë se kurrë. Tashmë, siguria publike është tërësisht solide dhe e plotë. Në qytetet e mëdha është invetsuar në sistemet e monitorimit të pandërprerë elektronik. Organet e rendit publik i janë nënshtruar një reforme të thellë në organizimin, shpërndarjen, komandimin, marrëdhëniet me komunitetin, përgatitjen profesionale dhe sigurimit të burimeve njerëzore, si dhe do të bëhen të afta të japin edhe shërbime speciale të sigurisë. Siguria rrugore është trajtuar gjithashtu me përparësi të madhe. Krahas përmirësimit të cilësisë së rrugëve dhe sinjalistikës rrugore në përputhje me standardet europiane, përfshirë zbatimin e procedurave të auditimit të rrugëve që nga momenti i projektimit e deri në realizim, forcimi i displinës së qarkullimit rrugor, pajisja me leje qarkullimi bazuar në testime realiste dhe të pakorruptuara të drejtuesve të mjeteve nëpërmjet përmirësimit të sistemit të autoshkollave, ristrukturimi i kontrollit teknik të mjeteve dhe edukimi masiv me rregullat e qarkullimit të të gjithë grupmoshave, veçanërisht të moshës shkollore, kanë qenë disa nga drejtimet kryesore.

Forcimi i kapaciteteve institucionale e njerëzore për zbatimin e ligjit

Zbatimi i ligjit ka kërkuar rritjen dhe fuqizimin e kapaciteteve institucionale. Në këtë kuadër, qeveria i ka kushtuar një rëndësi të shkallës së profesionalizmit të zyrtarëve të përmirësimit të teknologjisë dhe mjeteve në dispozicion në çdo institucion e në radhë të parë, të atyre të rendit publik e të sistemit të drejtësisë. Ngritja profesionale e zyrtarëve do të kombinohet me ristrukturime institucionale dhe me ngritjen e strukturave të specializuara e të mirëpajisura me teknologji bashkëkohore. Ndërkaq, është fuqizuar shkalla e bashkëveprimit e bashkërendimit institucional. Në veçanti, në lidhje me organet e rendit publik do të ndërmerren reforma të veçanta, si rritja e kontrollit të kufijve, tokësore, detare, ajërore. Ky kontroll është kryer nga integrimi i Policisë Kufitare me Policinë e Rendit, me autonominë e nevojshme, si dhe një bashkërendim efektiv i të gjitha institucioneve të tjera të rendit, mbrojtjes dhe shërbimit doganor e tatimor. Është bërë me sukses riorganizimi territorial i shpërndarjes së forcave të rendit për të mundësuar sigurinë publike në çdo njësi territoriale e në veçanti në ato pjesë të vendit ose të zonave urbane me kriminalitet të lartë. Reforma në organet e rendit ka siguruar depolitizimin dhe spastrimin e radhëve të këtyre organeve nga punonjës të korruptuar e të inkriminuar, riorganizimin e tyre, të marrëdhënieve të këtyre organeve me komunitetin, arsimimin, pajisjet dhe përgatitjen e tyre profesionale.

Modernizimi i sistemit të informacionit dhe dokumentacionit

Zbatimi i ligjit ka kërkuar një sistem modern të informacionit dhe dokumentacionit, i cili i përgjigjet në kohë reale dinamikës ekonomike dhe sociale, është i integruar, i saktë dhe lehtësisht i aksesueshëm. Për këtë qëllim, qeveria është angazhuar plotësisht për një kompletim përfundimtar të regjistrave të dixhitalizuar të Gjendjes Civile, të pasurive të tokës, si dhe pajisjen përfundimisht të shqiptarëve me dokumentet bazë të identifikimit, letërnjoftimet elektronike, pasaportat biometrike të standardeve europiane. Krahas këtyre sistemeve bazë, qeveria do të investojë vetë ose në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse në sisteme të tjera të informacionit, si ato të krimit e investigimit të deklaratave fiskale të vendimeve gjyqësore të qarkullimit të njerëzve, të adresave etj.

Asnjë zyrtar i kësaj qeverie nuk rezulton i lidhur me krimin

Zbatimi i ligjit fillon nga vetë shteti. Institucionet shtetërore gjatë këtyre katër viteve kanë qenë të parat që kanë regjistruar dhe zbatuar me rigorozitet respektimin e detyrimeve ligjore. Situata e vitit 2005, ku zyrtarët ndjeheshin mbi ligjin, imunitarët përdornin imunitetin për dhunimin e tyre, ku institucionet shtetërore nuk zbatonin vendimet e formës së prerë të gjykatave dhe nuk shlyejnë detyrimet ndaj qytetarëve dhe bizneseve falë kësaj qeverisjeje, mori fund. Zyrtarëve të çdo institucioni shtetëror në këto vite iu kërkua më shumë se kujtdo tjetër zbatimi i ligjit.

Bashkëpunim me institucionet e pavarura për zbatimin e ligjit

Qeveria, brenda kuadrit kushtetues ka demonstruar të gjithë vullnetin pozitiv për të bashkëpunuar me institucionet e tjera të pavarura, me qëllim rritjen e shkallës së zbatimit të ligjit. Në veçanti, bashkëpunimi me Prokurorinë për ndëshkimin e krimit, me Inspektoratin e Deklarimit dhe Verifikimit të Pasurive për të siguruar transparencë dhe ndëshkim të korrupsionit dhe konfliktit te interesave, me Avokatin e Popullit për realizimin e të drejtave themelore të individëve dhe grupeve shoqërore dhe me qeverisjen vendore për të vendosur ligjin në zhvillimin urban e mbrojtjen e mjedisit, do të jenë në qendër të vëmendjes së qeverisë.

Bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë

Në këto katër vjet, qeveria ka treguar se ka qenë një bashkëpunëtore e përkushtuar e partnere e përkushtuar e partnerëve ndërkombëtarë në luftën kundër terrorizmit, krimit ndërkufitar, krimit të organizuar, trafiqeve të të gjitha llojeve e pastrimit të parave dhe sigurisë së kufijve. Qeveria i është përgjigjur plotësisht me efektivitet programeve të ndërmarra nga partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë në këto fusha, duke respektuar angazhimet e marra, duke qenë plotësisht e hapur për një bashkëpunim institucional dhe kapilar me institucionet e specializuara ndërkombëtare dhe të vendeve të tjera. Qeveria ka kërkuar asistencë të vazhdueshme, por edhe një veprimtari të përbashkët të këtyre strukturave në territorin shqiptar rajonal. Bashkëpunimi me shoqërinë civile ka qenë gjithashtu një tjetër energji shtesë, që është shfrytëzuar për të arritur suksese në vendosjen e shtetit ligjor. Në kuadrin e integrimit europian, prioritet ka qenë dhe ka mbetur zhvillimi dhe zbatimi i Strategjisë për Administrimin e Integruar të Kufijve sipas direktivave të Bashkimit Europian.

Blerina TOSLLUKU





Përfaqësuesi i PPE tha se vendi ka nevojë për Sali Berishën për të ecur përpara

Liderët europianë: Shqipëria nuk ka kohë për të humbur me eksperimentet e opozitës

Liderët europianë të Partive Popullore Europiane shprehën dje, mbështetjen e tyre të fuqishme ndaj kryeministrit Berisha dhe Partisë Demokratike, për një mandat të dytë në qeverisjen e vendit. Përfaqësuesi i PPE-së, Kostas Hatzidakis, shprehu përkrahjen e fortë të liderëve europianë për fushatën e PD-së dhe për fitoren e saj në zgjedhjet e qershorit. "Është një kënaqësi e madhe, për mua të jem këtu sot, për të shprehur në emër të Partisë Popullore Europiane mbështetjen tonë më të fortë për fushatën tuaj elektorale. Partia Popullore Ruropiane është partia më e fuqishme në kontinentin europian, në Bashkimin Europian, me presidentin Nikola Sarkozi, kancelaren Merkel, kryeministrin Berluskoni dhe kryeministrin Kosta Karamanlis", u shpreh përfaqësuesi i PPE-së gjatë punimeve të Kongresit Elektoral të PD-së ku u miratua programi i reformave për qeverisjen e vendit në katër vitet e ardhshme. Ai vlerësoi se, kryeministri Berisha që në momentin e konferencës së PPE-së e bëri shumë të qartë se, ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian."Kryeministri Berisha ka drejtuar rrugën e Shqipërisë drejt integrimit euroatlantik, u nënshkrua Marrëveshja e MSA me BE, falë Sali Berishës sot, Shqipëria është anëtare me të drejta të plota e NATO-s, falë tij, Shqipëria ka aplikuar për të qenë vend kandidat për anëtarësim në BE", u shpreh më tej përfaqësuesi i Partive Popullore Europiane. Kostas Hatzidakis theksoi më tej se, arritjet europiane të Sali Berishës dhe qeverisë që ai drejton do të njihen nga të gjithë shqiptarët. "Shumë shpejt BE do të heqë vizat për të gjithë qytetarët shqiptarë. Të jeni të sigurt, se PPE do të mbështesë fort këtë proces. Sali Berisha ka dhe një sërë rezultatesh dhe arritjesh, ai ka rritur pagat dhe pensionet, ai ka filluar të rrisë investimet në projektet infrastrukturore, ka luftuar fort krimin e organizuar. Ai luftoi korrupsionin dhe po përdor luftë të egër ndaj tij", nënvizoi i deleguari i Partive Popullore Europiane. Më tej, ai nënvizoi se Berisha ka krijuar marrëdhënie të mira me fqinjët dhe e ka shndërruar Shqipërinë në faktor stabiliteti në Ballkan. Me fjalë të tjera, vijoi ai, kryeministri Sali Berisha e ka vendosur Shqipërinë në rrugën e zhvillimit europian. "Shqipëria, ka nevojë të vazhdojë rrugën e zhvillimit dhe ka nevojë për drejtimin nga Sali Berisha dhe nuk ka kohë për trillimet dhe eksperimentet e opozitës. Që Shqipëria të vazhdojë të ecë përpara, ka nevojë për lidershipin Sali Berisha", u shpreh në fjalën përshëndetëse në Kongresin Elektoral të PD-së, përfaqësuesi i Partive Popullore Europiane.





Basha: Në mandatin tonë të dytë shqiptarët lëvizin pa viza në BE

Në mandatin e dytë të kësaj qeverie, shqiptarët do të lëvizin pa viza në hapësirat e Bashkimit Europian si europianë të barabartë mes europianëve. Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, duke folur në Kongresin Elektoral të PD-së siguroi qytetarët shqiptarë se, vetëm me vullnetin e hekurt të kësaj qeverie u bë i mundur rrëzimi i murit të izolimit, që kishin krijuar krimi i organizuar dhe korrupsioni i kultivuar nga qeverisja socialiste. "Shqipëria nisi rrugën e saj drejt NATO-s dhe BE-së. Njëri pas tjetrit, udhëheqësit euroatlantikë konfirmuan mbështetjen për qeverinë 'Berisha' dhe reformat që kanë ndryshuar vendin. Krah për krah me kryeministrin Berisha, Presidenti i SHBA-së, George W. Bush, përcolli nga Tirana dy mesazhe historike: Kosova e pavarur dhe Shqipëria në NATO", tha ministri Basha. Së bashku, vijoi ai, ne i dhamë fund padrejtësisë historike, pasi Kosova e pavarur, demokratike dhe euroatlantike, është sot shteti më i ri i Europës. Nën moton Shqipëria po ndryshon, ministri i Punëve të Jashtme vuri në dukje se për Shqipërinë u bë realitet ëndrra e anëtarësimit në NATO. "Kryeministri Berisha nënshkroi MSA-në dhe hapi kapitullin e ratifikimit të saj në një kohë rekord nga 27 vendet anëtare të BE-së, që votëbesuan qeverinë shqiptare dhe reformat e saj. Ne dorëzuam kërkesën për anëtarësim të plotë në BE, procesi i liberalizimit të vizave është në rrugë të mbarë dhe në fillim të mandatit tonë të dytë ne do të lëvizim pa viza, si europianë të barabartë mes europianëve", përfundoi ministri Basha fjalën e tij në Kuvendin Elektoral të PD-së.





Topalli: Nuk ka kthim prapa për fitoren e PD-së

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, në hapje të punimeve të Kuvendit Elektoral të PD-së, tha se në mandatin e ardhshëm demokratët do të vazhdojnë ndryshimin e vendit. Topalli, njëkohësisht Kryetare e Kuvendit, tha se demokratët janë të destinuar për të sjellë ndryshime dhe për të vazhduar ndryshimin. "Ky kongres është historik dhe këto janë kohë historike. Bashkë kemi bërë historinë, shqiptarët kanë bërë historinë dhe demokratët kanë bërë një epokë", u shpreh ajo. Demokratët, theksoi më tej Topalli, rrëzuan komunizmin, sollën lirinë, aplikuan për në NATO, e futën Shqipërinë në Këshillin e Europës. "Jam krenare që sot jam bashkë me ju me një Shqipëri që po ndryshon. Sali Berisha premtoi ndryshimin dhe sot Shqipëria po ndryshon, ka hyrë në NATO, jemi drejt BE-së. Ky është shekulli i demokratëve. Forca jonë lëvizëse është dashuria për këtë vend", nënvizoi më tej nënkryetarja e PD-së. Ajo theksoi se nuk ka kthim prapa, pasi Partia Demokratike është nisur për të fituar dhe do të fitojë, pasi demokratët janë shumë më tepër se sa ishin katër vite më parë. "Është koha për të realizuar ëndrra të mëdha, ëndrra që i kemi parë të bëhen realitete në Bukuresht kur Shqipëria mori ftesën për në NATO, i kemi parë në Bruksel kur flamuri shqiptar u ngrit krenar", vijoi më tej kreu i legjislativit. Nënkryetarja e PD-së tha se, gjatë mandatit të ardhshëm mazhoranca e djathtë ka shumë punë të tjera për ta bërë edhe më të bukur jetën e shqiptarëve. "Ne jemi gati, shqiptarët janë më të vendosur se kurrë dhe e shohim kudo fitoren. Buzëqeshjen e saj e shoh tek rinia dhe në çdo cep të Shqipërisë", nënvizoi më tej nënkryetarja e PD-së në Kongresin e Partisë Demokratike, i cili i zhvilloi punimet në ambientet e Pallatit të Kongreseve.





Bode: Brenda katër viteve realizuam ëndrrat më të mëdha të shqiptarëve

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, njëkohësisht ministër i Financave, Ridvan Bode, shprehu dje bindjen për një fitore të thellë të Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të qershorit. Duke folur gjatë punimeve të Kongresit Elektoral të PD-së, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ai tha se sfida e kësaj qeverie janë ëndrrat dhe dëshirat e shqiptarëve. "Ne jemi përsëri më të shumtë dhe nisim udhën drejt fitores së lavdishme të Partisë Demokratike", tha Bode, duke shprehur sigurinë për fitore. "Ne do të fitojmë përsëri se kemi një ëndërr, një dëshirë që na inspiron pa fund, Shqipërinë tonë të dashur, familjet tona të shtrenjta, qytetarin tonë të lirë. Ne sollëm ndryshimin anëkënd vendit dhe veç të suksesshmit fitojnë", u shpreh më tej Bode. Ëndrra jonë, vijoi më tej Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, ishte Shqipëria në NATO dhe sot jemi anëtarë mes 25 kombeve të tjera që i kontribuojnë paqes, stabilitetit, sigurisë dhe mirëqenies kudo në botë. Duke u ndalur në reformat dhe arritjet ekonomike të këtyre katër viteve qeverisje të PD-së, Bode tha se Shqipëria është sot vendi me taksat më të ulëta në Evropë, vendi me liritë fiskale më të mëdha në botë, vendi që u rendit i dyti për thellësinë e reformave ekonomike në të gjithë rruzullin tokësor. "Ne përgjysmuam taksat, ulëm tatimin mbi kompanitë me 2 herë e gjysëm, ulëm taksën e punës me dy herë, taksën doganore me mbi 6 herë, përgjysmuam taksën e biznesit të vogël dhe hoqëm 26 taksa dhe tarifa, duke e bërë shumicën e tyre vetëm një euro", tha më tej ministri i Financave, duke e vënë theksin në faktin se megjithëse taksat u ulën dy herë, në mandatin e parë të ardhurat në buxhetin e shtetit u dyfishuan, pasi qeveria dominoi mbi korrupsionin, informalitetin dhe kontrabandën e ish-pushtetarëve. "Me këto para, ne shtatëfishuam investimet në infrastrukturën rrugore, në ujësjellësa, dyfishuam pagat dhe pensionet për qytetarët shqiptarë, dyfishuam fondet për arsimin, shëndetësinë dhe mbrojtjen, që ishin prioriteti i mandatit tonë të parë", deklaroi Bode. Ne, tha ai, do të fitojmë përsëri, se sfida jonë nuk është kundërshtari politik që zgjodhi karrigen e lejeve të ndërtimit në vend të fushëbetejes së ballafaqimit. "Ne kemi një ëndërr, ëndrrën e Dhjetorit të vitit 1990, 'Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropën' dhe brenda një kohe rekord nisëm udhëtimin e fundit për t'u rikthyer në familjen së cilës i përkasim pas endjes shekullore mes lindjes e perëndimit", deklaroi ministri i Financave, Ridvan Bode.





Olldashi: Ndërtuam 4 km autostradë çdo ditë të qeverisjes sonë

Qeveria e Partisë Demokratike ia doli që brenda një periudhe katër vjeçare ta shndërrojë infrastrukturën nga një pengesë reale për zhvillim, në një shtysë jetike për zhvillimin e vendit. Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, tha gjatë punimeve të Kongresit Elektoral të Partisë Demokratike, që i zhvilloi punimet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, se kjo qeveri ia doli që t'i shndërojë qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë me një infrastrukturë moderne të standardeve më të mira. Olldashi tha se qeveria mbajti premtimin për ta ndryshuar rrënjësisht këtë vend. "Në këto katër vjet, investimet në rrugët e vendit janë rritur ndjeshëm, janë investuar 178 miliard lekë, kur në periudhën 2002-2005 u investuan 24 miliard lekë", tha Olldashi, duke nënvizuar se vendit i janë shtuar 5 983 km rrugë të reja, ose e thënë ndryshe, në çdo ditë të qeverisjes sonë janë ndërtuar 4 km autostradë. Duke u ndalur në ecurinë e punimeve në autostradën Durrës-Kukës-Morinë, Olldashi tha se korridori i madh i shqiptarëve, aorta, korridori Durrës-Kukës, është sot në 16 metrat e fundit të tunelit dhe kanë mbetur vetëm 16 metra pranë dritës në fund të tunelit. Ai tha se dora e qeverisë ndihet kudo në akset veri-jug dhe lindje perëndim. Më tej, ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit renditi të gjithë projektet e mëdha që janë ndërtuar apo janë në ndërtim e sipër, të cilat synojnë ta kthjenë Shqipërinë në një vend me infrastrukturë moderne.





KQZ kthen listat e PS-së për parregullsi ligjore

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve vendosi të shtunën kthimin e listave shumëemërore të kandidatëve për 12 subjekte zgjedhore, të regjistruara për zgjedhjet e 28 qershorit, pasi kishin parregullësi në dokumentacion. Në mbledhjen e paraditës së djeshme, KQZ vijoi shqyrtimin e dokumentacionit të kandidimit të subjekteve politike, duke pranuar vetëm ato të pesë partive, pasi listat e kandidatëve të paraqitura prej tyre ishin në përputhje me ligjin. Partia Socialiste, Partia Socialdemokrate, Partia Aleanca Demokratike, Partia Republikane, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Partia Socialiste e Vërtetë '91, Partia e Reformave Demokratike Shqiptare, Partia Toleranca e Re, Partia Ora Shqiptare, Partia Aleanca Maqedonase për Integrim Europian, Partia Demokracia e Re Europiane, G 99 dhe Partia Konservatore ishin partitë dokumentacioni i të cilave u vlerësua me probleme nga anëtarët e KQZ-së. Listat e këtyre subjekteve ishin me mangësi kryesisht në dokumentet e identifikimit të kandidatëve si dhe nuk respektonin kriteret e kuotës gjinore, prej 30% të grave. Pas dorëzimit të listave të kandidatëve në 19 maj, afati i përcaktuar për këtë qëllim nga KQZ, i shkelur vetëm nga PS, deri më sot ky institucion ka shqyrtuar dokumentacionin e kandidatëve për rreth 30 subjekte zgjedhore, nga 35 të regjistruara për zgjedhjet e 28 qershorit. Ndërkohë Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka pranuar në mbledhjen e zhvilluar gjatë pasdites së djeshme listën shumëemërore të kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Pas shumë debatesh, lista me 140 kandidatë u gjet në përputhje me ligjin nga KQZ. Më pas KQZ ka marrë në shqyrtim listën shumëemërore të PS-së. Kjo e fundit shkeli afatin në dorëzimin e listave, duke i depozituar ato disa orë me vonesë. Ky institucion deri tani ka shqyrtuar dokumentacionin e kandidatëve për rreth 31 subjekte politike, nga 35 të regjistruara për zgjedhjet e 28 qershorit. KQZ përfundoi në orët e pasdites shqyrtimin e dokumentacionit të listave shumëemërore të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e Kuvendit më 28 qershor. Në përfundim të këtij procesi, KQZ nga 36 subjekte zgjedhore të regjistruara në KQZ, pranoi listat e kandidatëve për pesë prej tyre, pasi 31 të tjera i gjeti me mangësi në dokumentacion dhe mospërmbushje të kërkesave të kodit zgjedhor. Partitë politike që u pranuan nga KQZ si subjektet që kanë dorëzuar listat konform ligjit dhe do të konkurojnë në zgjedhje janë Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Lëvizja e Legalitetit, Partia Mbrojtja e të Drejtave të Emigrantëve dhe Partia e Gjelbër.

sali_berisha_konventa_partia_demokratike.jpg
shqiperia_po_ndryshon_sali_berisha.jpg
BalkanWeb_com_-sali_berisha_kryeministri.jpg

Add your comment / Shkruaj nje koment b u i s size tt color hr quote img youtube
Name Comment
Confirmation 
Laughing :lol: Razz :-P Very Happy :-D Smile :-) Neutral :-| Sad :-( Crying or Very sad :cry: Cool 8-) Surprised :-o Confused :-? Embarrassed :oops: Shocked :shock: Mad :-x Rolling Eyes :roll: Wink ;-) Idea :idea: Exclamation :!: Question :?: