|
|
Profesor Doktor Sali Berisha - Kryeminister dhe Kryetari Partise Demokratike te Shqiperise
|
Së bashku për të vazhduar ndryshimin
SALI BERISHA
Së pari, në emrin tuaj dua të përshëndes në këtë sallë dhe kudo në botë, përshëndes shqiptarët, kuvendin tonë që shpall sot alternativën e fitores, e suksesit të Shqipërisë për katër vitet që vijnë. U përshëndes ju delegatë, që me votën tuaj do të votoni sot programin elektoral të PD, programin e zhvillimit të vendit, programin e zhvillimit të vendit me turravrapin e ardhshëm katërvjeçar. Një falenderim dhe mirënjohje e veçantë për të gjithë anëtarët, simpatizanë dhe aktivistë, bashkëpunëtorë, nënkryetaren Topalli, zotin Patozi, zotin Bode, anëtarët e Kryesisë, që dhanë besimin, tolerancën, shpirtin dhe mendjen e tyre të hapur, që e bënë Partinë Demokratike partinë e parë të besimit të Shqipërisë, parti e interesit kombëtar, e shndërrimeve të mëdha, e transforimit të ëndrrave në realitete. Parti e fitores më të sigurtë, e rikthimit të fitores së '92.
Një mirënjohje të thellë dhe nderim të veçantë ministrave, deputetëve që kanë kontributin e tyre, punonjësit e administratës, të cilët me punën e tyre ndërmorrën reformat e gjithanshme dhe epokale që janë hartuar dhe zbatuar, e bënë Shqipërinë vendin e suksesit rajonal si dhe në disa raste vendin e suksesit botëror të reformave, të cilat katër vjet më parë dukeshin të pakapshme, ishin si një ëndërr e largët dhe ne e shndërruam në realitet. Shqipëria në NATO, shpresa jonë është realitet. Shqiptarët në NATO, shqiptarët aplikantë për kandidat në BE, shqiptarët në prag të lëvizjes së lirë në të gjithë Europën. Shqipëria, vendi që u vizitua nga Presidenti i SHBA, Shqipëria e dyta në botë, për suksesin e reformave të biznesit, më e mira në Ballkan. Shqipëria, vendi me rritjen ekonomike më të lartë në Europë në vitin 2008, dhe që parashikohet të jetë vendi me rritje më të lartë ekonomike edhe në vitin 2009. Shqipëria, vendi i vetëm në Europë dhe në botë që dyfishoi rrogat dhe pensionet e 300 mijë, me rritje 50 deri në 70% rrogat e mbi 500 mijë të tjerëve, duke kaluar edhe disa vende të BE. Shqipëria në vendin e 77 në botë për vendin e jetesës, duke lënë mbrapa 127 vende të tjera, ndërkohë që 18 vjet më parë renditej e treta apo e katërta në botë përsa i përkët varfërisë. Shqipëria, vendi që mbidyfishoi numrin e studentëve, që shtriu internetin në të gjitha shkollat, vendi i projekteve më të mëdha infrastrukturore në Europë, vendi lider i investimeve të huaja që ka firmosur për gjashtë muaj mbi 5 miliard dollarë investime të mëdha. Shqipëria, vetëm vitin e kaluar u vizitua nga 2.7 milion turistë nga e gjithë bota, Shqipëria vendi në të cilin janë shprehur me superlativat më të mëdha Presidenti, Xhorxh Bush, Kryeministri, Silvio Berluskoni, Presidenti, Obama, Kancelarja, Merkel, Presidenti, Sarkozi, Presidenti i Japonisë, kryeministri i Kinës e shumë udhëheqës të tjerë të Europës dhe të botës. Ky ishte horizonti që këto katër vite e shndërruam ëndrrën në realitetin tonë.
Natyrshëm, secili prej nesh shton pyetjen, çdo shqiptar pret nga ky Kuvend, se cili do të jetë horizoti, cila do të jetë lartësia që do të japim katër vitet e ardhshme. Kam pyetur veten, cili do të jetë? Vetëm një përgjigje më vjen në kokë, në mendje, vetëm një përgjigje buron nga shpirti im, buron nga zemra juaj, Shqipëria europiane. Ky është vokacioni ynë. Ëndrra do të bëhet realitet, shtëpia më e bukur e jona e fëmijëve tanë, e të ardhmes tonë. Kuvendi i PD ka një moment historik dhe vendimtar, ne do të prezantojmë programin tonë drejt një horizonti të ri të projektit që do të shndërrojë në realitet ëndrrën europiane të shqiptarëve. Çdo komb duhet të ecë përpara për të ndërtuar të ardhmen që meriton, por për disa kombe, ndër të cilët edhe për ne shqiptarët të ecësh, do të thotë të qendrosh në vend numëro, për ne historia kërkon të vrapojmë në mënyrë të kapim kohën e humbur, të bëhemi bashkëmoshatare me të. Shqipëria europine është zotimi ynë, është projekti ynë i madh, është vrapi ynë në ngjitje, i lodhshëm, lartësues, fsnik, shpresëdhënës. Ne do të fitojmë. Kam bindjen më të thellë se, qytetarët shqiptarë më 28 qershor e kanë të qartë se votojnë për qindra arritje dhe reforma për mijëra vendime dhe udhëzime, për mijëra procese, në të cilat ne së bashku do të ndërtojmë të ardhmen, normat, praktikat e denja për një vend të lirë europian. Jam i bindur se, për çdo qytetar të këtij vendi, Shqipëria në NATO është ndryshimi më i madh në histori që nga pavarësia e tij, por ne anëtarësimin e vendit në NATO do ta shndërrojmë në levën e Arkimedit, energjinë forcën e pashtershme për reforma të thella të gjithanshme për Shqipërinë europiane. Për mua, për ju, për të gjithë shqiptarët, Shqipëria në NATO para së gjithash do të thotë se, energjia forca do të shumëfishohet. Katër vitet që lamë pas ishin vitet e fjalës së mbajtur, ishin vitet e transformimeve më të thella, ne, pasi morën një vend, të cilët iu deshën tre herë e gjysmë kohë për të hapur negociatat për Stabilizim- Asociimin, firmosëm marrëveshjen e ratifikuam nga 27 vende të BE, në një kohë rekord më shpejt dhe paraqitëm pas suksesit të plotë kërkesën për anëtarësim në BE. Përpjekja jonë për Shqipërinë europiane, kërkon që për çdo qytetar norma, kritere, praktika, standarde politike, ekonomike, sociale, europiane të dominojnë mbi çdo gjë. Këto praktika të normave dhe standardeve që duan të bëjnë konsolidimin e demokracisë në vend, ekonomisë së lirë të tregut dhe kompleksivitetit të saj, solidaritetin njerëzor, shoqërinë. E gjithë kjo tërësi, vërtetë është për një Shqipëri tjetër, një Shqipëri të cilën ne, çdo ditë, javë, muaj, vit do ta ndërtojmë me djersën tonë, me mundin tonë. Unë do të shpall sot para jush se, vitet 2009-2013 do të jenë vitet e Shqipërisë së ndryshuar, Shqipërisë së përgatitur nuse për t'u bërë anëtare e Bashkimit Europian. Me çelësin e suksesit të reformave, ne do të kemi negociata për marrëveshjen e anëtarësimit, do të negociojmë çdo nen, çdo kapitull të saj do ta shndërrojmë atë në realitetet të prekshëm për çdo shqiptar. Ndaj dhe ky do të jetë zotimi i këtij kuvendi, e para, lëvizja juaj e lirë, brenda vitit të parë të mandatit të dytë do të lëvizni të lirë në mbarë Europën. E dyta, Shqipëria, në vitin 2013 e gatshme për verdiktin final të 27 vendet e Bashkimit Europian. 4 vjet më parë kam sjellë një platformë në sallë, nuk shpalla se në katër vjet Shqipëria do të ishte anëtare e NATO, por shpalla se do të bëhej çdo gjë, çdo vendim, çdo përpjekje për ta anëtarësuar atë dhe sot, ne jemi anëtar. Rruga që kemi nisur është rruga e nderit, është rruga e suksesit, rruga e fitores. Shqipëria po ndryshon, Shqipëria europiane është para së gjithash Shqipëria e institucioneve demokratike dhe të pavarura. Këto katër vite më shumë se në çdo vend tjetër e ndërtuam me reformat më të thella kushtetuese të institucioneve të vendit, Parlamenti, Presidenca, Kryeministria, sistemi gjyqësor, sistemi zgjedhor, agjencive të tjera. Le të punojmë ne për të thelluar reformat për të siguruar në këtë vend balancën e pushteteve si gur themeli të demokracisë së këtij vendi. Le të punojmë ne, për të konsoliduar pavarësinë e institucioneve të pavarura dhe për përgjegjshmërinë e tyre ligjore. Katër vitet që vijnë, le të punojmë ne për një reformë të thellë dhe tërësore të sistemit të vuajtjes së dënimeve, zbatimin e vendimeve ligjore. Shteti ligjor duhet të njohë një vend të ri në Shqipërinë europiane. Liria është dhe mbetet pasioni ynë, prijësi i të gjitha transformimeve tona, liritë dhe të drejtat e individit dhe të minoriteteve. Katër vitet që vijnë do të njohim konsolidimin më të madh në historinë e këtij vendi, minoritetet do të ketë pavarësisht nga makinacionet politike paraelektorale vëmendjen tonë në të gjithë pluralizmin shqiptar. Një vëmendje të veçantë do t'u kushtojmë minoritetit të romëve dhe gjiptianëve, katër vitet që vijnë do të bëjë përpjekjet më të mëdha për të ndryshuar jetën e tyre për mirë. Për respektimin e plotë të lirive dhe të drejtave të tyre, respektimin e lirisë së mediave. Standardi shqiptar unik në Europë dhe në botë, i cili nuk lejon administratën të paraqesë asnjë lloj padie penale ndaj gazetarëve, do të konsolidohet si një praktikë e çmuar për ne dhe brezat që vijnë. Shqipëria vendi i tolerancës së shkëlqyer fetare, e kam për nder që qeveria ime firmosi me ta kontratën e parë me komunitetet fetare, u garantoi atyre respektin tonë të plotë sikundër garantoi shqiptarët, tolerancën fetare do të përpiqemi në kuadrin e bashkëpunimit ndërfetar ta eksportojmë në mbarë botën. Qeveria me duar të pastra, ishte premtimi ynë sot pas katër vitesh para të gjithë atyre që kanë në memorie katër vitet më parë dhe janë të vetëdijshëm për rezultatet e mëdha dhe të vërteta, për politikën e duarve të pastra. Shqipëria ndër vendet më të korruptuara të planetit, la mbrapa vitin që shkoi 95 vende, Shqipëria vendi i përfolur më shumë për korrupsion në Europë, vitin që shkoi u shpall më e mira e Ballkanit në 10 vendet më të mira të botës, për luftën kundër korrupsionit. Në katër vite me reforma të thella dhe të gjithanshme, ne ia dolëm të shpëtojmë nga kthetra të zeza të tij 4.2 miliard dollarë, i shndërruam në rrugë, shkolla, zhvillim për Shqipërinë. Unë jam këtu për t'u dhënë fjalën ju, se nga ky stacion, nga këto rezultatet e katër viteve që vijnë duart e pastërta të Sali Berishës do ta shndërrojnë Shqipërinë drejt niveleve shumë më të larta, objektivi ynë, objektivi i qeverisë me duar të pastra do të jetë. Shqipëria do të lërë mbrapa, jo një, por disa vende të Bashkimit Europian. Shqipëria do të zbatojë kriteret, praktikat, për transparencë të 20 vendeve të para më të suksesshme në luftën kundër korrupsionit. Nga qeveria e babëzisë dhe badigardëve, kaluam në qeveri të vogël, ju premtoj qeverinë edhe më të vogël. Nga qeveria e babëzisë, kaluam në qeverinë e dietës, por, dieta e katër viteve që vijnë do të jetë shumë më e thellë. Qeveria ime javën e parë do të votojë ligjin, i cili do t'i zhveshi zyrtarët, ministrat, deputetët, qeveritarët, nga ato që rëndojnë mbi supet tuaja. Turravrapi ynë në luftë me këtë kancer nuk do të ndalet kurrë, luftën do ta fitojmë. Katër vitet që do të vijnë të gjitha procedurat do të liberalizohen, do të jepen me konçension, do të nxirren nga korrupsioni, pronat, hipotekat dhe të gjitha fushat, në të cilat korrupsioni mundon qytetarët shqiptarë. Unë kam bindjen se më 28 qershor qytetarët shqiptarë do të votojnë për Sali Berishën, për luftën e tij kundër korrupsionit me zero tolerancë, edhe për krimin e organizuar. Ne e zhvendosëm Shqipërinë nga Aldo Baret dhe Nehat Kullat, në NATO, çuam pas hekurave qindra banda dhe banditë, le ta bëjmë Shqipërinë shembull në Europë. Në turravrapin tonë drejt Europës, në përpjekjen tonë për Shqipërinë europiane, lartësi të madhe përcaktuese më shumë se asgjë tjetër ka rritja e shpejtë ekonomike. Shqipëria është lider për investime të huaja në rajon. Katër vite me reforma të thella dhe të gjithanshme, bëmë që ky vend që përpëlitej nga informaliteti, të ngrihej në rritjen më të lartë eknomike në Europë, në kulmin e krizës europiane ne bëmë që ky vend të renditej i dyti në botë për reformat e biznesit, ne bëmë që ky vend të ngjitet në çatinë e planetit për lirinë fiskale. Ne vendosëm taksën e sheshtë, në katër vitet të ardhurat buxhetore, ne do t'i japim Shqipërinë lirinë si çdo vend në Europë. Do të vazhdojmë më tej me revolucionin fiskal, do të heqim TVSH, do të ndërmarrin reformën e thellë të pensioneve dhe sigurimeve shëndetësore, Shqipëria do të mbetet vendi me barrën fiskale më të ulët në Europë, vendi i kostos së prodhimit më të ulët në Europë, vendi lider i investimeve të huaja, vendi me rritjen më të madhe ekonomike, vendi me ekonomi më kompetitive në rajon. Kjo do të realizohet me reforma të thella e të gjithanëshme, në të gjitha institucionet që lidhen në rafshin financiar, administrativ, ligjor, gjyqësor, do të reformohen agjencitë e investimeve të huaja, diplomacia e huaj në diplomaci ekonomike, në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit. Në historinë e zhvillimit të kombeve, asgjë nuk ka bërë kombet e vogla me emër të madh se sa arsimi ndaj dhe unë u jap fjalën ju se do të investoj në këtë garë më shumë se çdo gjë tjetër, se shkollimi europian i fëmijëve tanë do të jetë përparësia e të gjitha përparësive. Ne, në katër vite dyfishuam buxhetin për arsimin, dyfishuam rrogat e arsimtarëve, numrin e studentëve, shtrimë internetin në të gjitha shkollat e vendit, ndërtuam dhe rindërtuam 1012 shkolla. Ne, do t'ia dalim në katër vitet që vijnë, që arsimi shqiptar të gëzojë të gjitha strukturat europiane të sistemit, rrogat e mësuesve shqiptarë do të rriten më shumë se sa u rritën në katër vjet, ne do të kapim kuotat të paktën të gjashtë vendeve të BE. Katër vitet që vijnë, çdo fëmijë që mbaron klasën e nëntë do të ketë të gjitha kushtet, pavarësisht se ku banon dhe nga të ardhurat do të jetë njëlloj si bashkëmoshatarët e tij, do të vazhdojë shkollën e mesme. Katër vitet që vijnë, çdo i ri dhe e re që mbaron shkollën e mesme do të mund të ndjekë universitetin. Katër vitet që vijnë, buxheti do të rritet me 6% të prodhimit të brendshëm. Do të trefishohet kontributi në sektorin privat me atë shtetëror, pas lehtësirave të mëdha fiskale. Shqipëria do të garantojë për shkollimin e fëmijëve të saj dy herë më shumë në vitin 2013 se në vitin 2009. Shqipëria sociale, Shqipëria e njerëzisë, Shqipëria e solidaritetit është Shqipëria që unë dua. Ju jap fjalën se, duke mbetur ithtar dhe besnik i standardeve në ekonomi, do të mbetem i përkushtuar pafundësisht në trajtimin e qytetarëve shqiptarë, do të mbetem i vendosur në luftën pa mëshirë kundër varfërisë së tyre, do të bëj çdo përpjekje që në këtë vend, qoftë edhe një qytetar i vetëm të mos ndihet i përjashtuar. Në katër vite, ju nuk gjeni një qeveri tjetër si kjo qeveri që ka rritur shpenzimet sociale nga 6 në 9% të prodhimit të brendshëm, ka dyfishuar buxhetin për arsimin, ka rritur me 60% buxhetin për shëndetësinë, ka vendosur për rritjen e rrogave dhe pensioneve në katër vite 520 milion dollarë, kundrejt 148 milion dollarë që të ashtuquajturit socialistë shqiptarë vendosën në tetë vite të marra së bashku. Kemi vendosur vetëm në një vit rroga, pensione pothuajse sa ç'kanë vendosur paraardhësit në tetë vite të marra së bashku.
Unë dua t'u garantoj qytetarëve shqiptarë se brenda vitit 2010, nuk do të ketë qytetar në këtë vend me ndihmë ekonomike, që të jetojë poshtë 2 dollarësh në ditë. Ky është premtimi ynë solemn. Varfëria është për njeriun e lirë pas humbjes armiku më i egër, varfëria është antidoti kryesor, mjetin më të fuqishëm kundër saj ka punësimin, ndaj zotohem sot para jush se punësimi i qytetarëve shqiptarë do të jetë përparësia e të gjitha përparësive të qeverisë sime. Në katër vite, ne punësuam 80 mijë qytetarë, por sërish ka papunësi, sërish ka prindër, familjarë, të rinj që përjetojnë dhimbjet e papunësisë. Puna, pas familjes, është burimi i lumturisë njerëzore. Punësimi i të papunëve do të jetë arma kryesore, çdo ditë në Shqipëri nisin projekte më të mëdha, projekte të cilat do të investohen me 5 miliard dollarë, të cilat do të punësojnë dhjetëra mijëra shqiptarë. Katër vitet që vijnë do të ngrejmë 6 parqe industriale, do të punësojmë dhjetëra mijëra shqiptarë. Zotimi ynë solemn është që në katër vite, qeveria jonë do të punësojë 180 mijë qytetarë shqiptarë. Shqipëria do të mobilizojë të gjitha potencialet e saj për punësimin e qytetarëve të vet, i tërë sistemi arsimor do të përshtatet në funksion të kushteve të tregut, i tërë sistemi fiskal do të përshtatet në kushtet e punësimit, i tërë zhvillimi i vendit dhe i reformave do të përmbidhet për të punësuar shqiptarët. Qeveria do të dyfishojë investimet, buxhetin për trajnimin, shkollimin, kualifikimin e punonjësve të rinj. Qeveria, siç po bën tani, në këto muaj do të marrë përsipër sigurimet shoqërore të punonjësve të rinj. Qeveria, në zonat e varfëra të vendit do të investojë, qeveria e gjithë reforma jonë të ka ty në qendër, fëmijët dhe familjen tënde. Shqipëria europiane është Shqipëria e shpejtësive, e rrugëve të shpejta, e rrugëve moderne, në katër vite ne e shndërruam këtë vend në kantier, kemi ndërtuar mijëra rrugë, autostrada, superstrada. Fjala ime e nderit është se katër vitet që vijnë, miqtë që vijnë nga e gjithë bota këtë vend të vogël, Shqipërinë, do ta kenë në pëllëmbë të dorës. Do të ndërtojmë akset më të shkurtra, Qafë Plloç-Tiranë, Fier-Koman etj. Do të bëjmë që çdo komunë e këtij vendi të jetë me rrugë të asfaltuar dhe për 15 minuta të lidhet me aksin më të afërt. Çdo fshat i këtij vendi me rrugë të asfaltuara, të lidhet me qendrën e komunës. Do të bëjmë që rrugët dhe rrugicat, fshatrat e Shqipërisë të asfaltohen njëlloj, si rrugët e qyteteve. Katër vitet që vijnë, Shqipëria do të ketë një lidhje tërësisht të re rrugore me fqinjët e saj. Do të ketë lidhje të reja me Greqinë, Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi.
Sonda shpuese që kontrollonte bashkimin e dy anëve të tunelit, u bashkua nga të dyja anët e tij. Java që vjen është java e hapjes së tunelit, e hapjes së korridorit të shqiptarëve. Katër vite më parë, para nesh qëndronte një mal i lartë, një direk në të cilin në shumë segmente të tij as dhitë e egra nuk kalonin dot. Por katër vite më parë, në hartën e këtij shteti, buxheti ishte tre herë më i vogël se ç'është sot. Por ne, të frymëzuar nga ju, nga entuziazmi juaj, nga vullneti juaj, e morëm ndërtimin e rrugës, ndërtimin më të vështirë që një qeveri mund të merrte. Rruga do të jetë realiteti i ri i shqiptarëve, ne ndërtuam rrugën dhe dyfishuam rrogat, ndërtuam rrugën dhe dyfishuam pensionet, ndërtuam rrugën dhe ndërtuam ujësjellës të rinj, anëtarësuam Shqipërinë në NATO. Shqipëria është një vend plot me ujëra, ne u premtojmë shqiptarëve se në vitin 2013, si të gjithë qytetarët e BE, do të kenë ujë 24 orë në shtëpitë e tyre kudo që të ndodhen. Ky është premtimi ynë. Rruga jonë ka qenë e vështirë. Kemi patur një gjë të jashtëzakonshme ne si shqiptarë, rininë, moshën e re të kombit tonë, e kemi atë, ndaj dhe do të bëjmë çdo gjë që Shqipëria të ecë me moshën e tyre, Shqipëria në moshën dixhitale.
Shqipëria, nën pankartat e kësaj moshe, do të ecë drejt integrimit europian. Ky mbetet zotimi ynë. Kjo është Shqipëria që do rinia shqiptare, Shqipëria për të cilën ne zotohemi në katër vitet që të vijnë. Në Shqipëri, sërish, reth 40% e popullsisë jeton në fshat, jam këtu për t'u zotuar se zhvillimi i Shqipërisë rurale është një nga kushtet themelore për ne. Katër vite, ne investuam në fshatin shqiptar 1.6 miliard dollarë. Jam sot për t'u zotuar përpara fermerëve shqiptarë se katër vitet që vijnë do të investojmë në rrugë, shkolla, kanalizime, vaditje, ne do të investojmë tre herë më shumë se katër vitet e shkuara. Ne, u kemi premtuar fermerëve shqiptarë se punën e tyre të rëndë në bujqësi ne nuk e bëjmë dot, por ne do të garantojmë se fëmijët e tyre do të shkollohen njëlloj, se shtëpitë e tyre do të kenë njohuritë e tyre njëlloj si në qytete, do të kenë rrugë të asfaltuara si në qytete, do të garantoj të drejtën e tyre, do të bëj çdo gjë që katër vitet që vijnë të rrisim prodhimin bujqësor. Do të bëj çdo gjë, që katër vitet që vijnë të gjashtëfishoj grantin për fermerët. Në katër vitet që vijnë, Shqipëria do të jetë motoja jonë, do të ketë sistemin më të shkëlqyer të vaditjes, do të vendosim një praktikë të re, fermerët e zonave të varfra të vendit, të zonës juglindore dhe verilindore, që shtrihen nga Zagoria në Dukagjin se qeveria ime do të financojë për ta çdo projekt. Në katër vjet, pensionet minimale do të jenë të barabartë në të gjithë vendin. Shqipëria ka ndryshuar, s'do të ketë më mungesë energjie. Po e kthejmë Shqipërinë çdo vit e më shumë në një qendër e superfuqi të vërtetë në rajon. Shqipëria do të punësojë dhjetëra e dhjetëra mijë shqiptarë, mijëra e mijëra hektarë do të përgatiten për të përdorur të gjitha format e energjisë. Shqipëria, superfuqi energjetike në rajon, premtimi ynë. Europa është jeta, europianët janë standardi i jetesës, ky standard kërkon me çdo kusht një fillim. Sot, katër vite më parë, ne kemi hapur portat për reformat më të mëdha që do të marrë Sali Berisha në mandatin e dytë. Unë iu jap fjalën se katër vitet që vijnë do të mundësojmë shërbimet e standardeve europiane. Ne, do të reformojmë tërësisht sistemin e menaxhimit të shëndetësisë me një kompani të njohur gjermane. Kemi filluar punën e do të vazhdojmë për të bërë në Shqipëri sistemin më social shëndetësor në rajon.
Reforma e shëndetësisë është reformë jetike, reformë e cila nuk duhet të ndalojë. Dua të jem më i hapur se kurrë në jetën time nuk kam vënë baste, s'kam hedhur falle, por kjo reformë duhet të përcaktojë fondin e ardhshëm të qeverisë së Sali Berishës. Shqipëria, sot ka një renditje në pastërtinë e mjedisit, është në vendin e 27 në botë dhe lë mbrapa disa vende të BE, por unë jam këtu për t'u zotuar se në vitet që vijnë Shqipëria do të ketë ujërat më të pastërta, standarde tërësisht të reja të ndërtimit, ndaj dhe e konsideroj mjedisin si ëndërr. Ju garantoj se mbrojtjes dhe zhvillimit të tij do t'i kushtoj një vëmendje të veçantë. Shqipëria është një vend me pasuri të mëdha. Pasuria më e madhe e këtij vendi, më përrallore është turizmi. Këto katër vite Shqipëria njohu një kohë që s'e ka njohur asnjë vend tjetër, nga 300 mijë turistë në 2004, në 2.7 milion në vitin 2008. Vitin e kaluar, vetëm Saranda priti aq sa priti Shqipëria në 2004. Zotohemi për një zhvillim të ri të turizmit, të rezorteve të reja të turizmit, kurrë nuk do të lejojmë betonizimin e brigjeve tona të mahnitshme. Ne do të ndërtojmë rezortet më të bukura në Europë. PD ka detyrimet e saj të mëdha ndaj pronarëve, ndaj të përndjekurve politikë. Çdo vit, në telefonin tim vijnë me qindra mesazhe.
Unë u garantoj pronarëve se çdo mesazh të tyre e lexoj me përgjegjësinë më të madhe. Unë u garantoj atyre se çdo ankesë të tyre e trajtoj me seriozitetin më të madh dhe nuk e injoroj, por u them atyre të mos e humbasin durimin, se do të qëmtoj të gjithë të vërtetat derisa të dalin në dritën e diellit. Të mos mashtroheni nga pseudopronarë që pasi u kanë grabitur pronat vëllezërve të tyre dalin e bërtasin në emër të pronarëve. Ne qëndrojmë pranë jush, qëndrojmë me detyrimin tonë madhor para jush, do të bëjmë çdo gjë deri në zgjidhjen finale të këtij problemi. Mos harroni, është kjo parti që ktheu shqiptarët në pronarë, që ktheu apartamentet e tyre, është kjo parti që zbatoi rreth 55% të të gjitha dosjeve të pronësisë. Do t'i zgjidhim të gjitha me vendosmërinë më të madhe. Ju, për të ndryshuar vlerat e lirisë, sërish nuk keni marrë atë që ju takon. Por teza ime është që të bëjmë dëmshpërblimin tuaj. Ata një ditë do të përballeshin dhe do të ulnin diktaturën, ndodhi që e përmbysëm. Më vonë, Shqipërinë e mbulonte varfëria dhe skamja, sërish ishte energjia juaj, pasioni juaj për liri ai që ndryshoi vendin me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Për asnjë nuk mendoj dhe nuk do të mendoj më shumë se për ju. Për shkollën tuaj, për të ardhmen tuaj, për shoqërinë, për Shqipërinë.
Pak më parë, dikush këtu përmendi emrin e kryetarit të opozitës. Isha përgatitur t'i thoja disa fjalë, por vendosa që në respekt të traditës më të lartë shqiptare, të mos i them asnjë fjalë, sepse koka e falur s'pritet më. U dorëzove, ia mbathe, nuk flas më për ty. Tani për kokën e falur që nuk pritet, nuk flitet. Do të flas për veten time. Unë jam Sali Berisha. Për dijeni, kam qenë mjek kardiolog, studiues i apasionuar, profesor i një universiteti, me përkushtim të madh u kam shërbyer të sëmurëve të mi, kam punuar me studentët e mi, karrierën time nuk e kam nisur kurrë për politikë. Karrierën time e kam nisur me një vendim, vendim në të cilin bëra atë që s'kisha bërë. Në emër të dinjitetit tim, vendosa të përballesha me një vendim çnjerëzor, që shpërfytyroi këtë vend dhe këtë popull. Jam njeri që i kam dashur shumë të sëmurët, i kam dashur shumë studentët, e kam dashur shumë kërkimin shkencor. Kam botuar në Shqipëri dhe në mbarë botën kërkime shkencore. Por çfarë ndodhi me mua? Tek merresha me dhimbjen e zemrës të të sëmurëve të mi, dhjetëra herë më të egra se dhimbjet e zemrës ishin dhimbjet e shpirtit të popullit, tek qëmtoja në laboratorët e mi të vërteta shkencore për t'i gjetur ato gradualisht, pasioni për kërkim sa vinte dhe zbehej. Një pasion tjetër pushtonte shpirtin tim. Këto të vërteta janë të rëndësishme, por sa të vërteta të tjera janë më të mëdha se sa ato të lirisë. Për politikën në atë kohë nuk e ndërroja familjen kurrë dhe asnjëherë, por unë prindi, bashkëshorti, nuk isha ai që duhet të isha. Më mungonte dinjiteti, ndaj dhe unë vendosa të përballem. Në emër të tyre, vendosa të shkoj në kërkim të dinjitetit të kërkuar. Me dhjetëra e mijëra njerëz, në këtë sallë e Shqipëri, dolëm në rrugët e Tiranës dhe themeluam Partinë Demokratike, përmbysëm diktaturën më të egër në Europë. Udhëhoqëm opozitën bashkë me bashkëpunëtorët e mi drejt fitores së '92, u zgjodha President i këtij vendi në liri të plotë, të një vendi me triska e tollona, që përjetonte urinë dhe varfërinë. Ishte pasioni tek liria, që bashkë me bashkëpunëtorët e mi të vendosnim sistemin e ri, të dilnim në mbështetjen tuaj, Shqipërisë t`i mbushnim dyqanet, nga kolapsi ekonomik e shndërruam në zhvillimin ekonomik, ta anëtarësojmë në Këshillin e Europës. Në prag të hapjes së negociatave në '96, piramidat sollën krizën, rebelimi komunist bëri që ish-komunistët shqiptarë dhe botërorë të hedhin mbi mua tonelata shpifjesh, trillimesh dhe akuzash dhe unë sërish mbeta qytetari Sali Berisha. Atë moment, nga pasioni i lirisë pranova dhe dhashë dorëheqjen, por jo atë personale. U bashkuam sërish bashkë. Në 2005, ne përmbysëm sistemin e kleptokracisë dhe këto katër vite u kam faktuar ju dhe çdo shqiptari fjalën e mbajtur.
Mos mendoni ju se tërhiqet Sali Berisha jo dhe jo, Sali Berisha nuk do të mposhtet asnjëherë, se asgjë nuk do të mposhtë të drejtën tuaj për të qenë pjesë e Europës. Reformat e çojnë vendin në Bashkimin Europian, është objektivi im madhor. Të dashur qytetarë dhe qytetare edhe sot pas 20 vitesh në politikë, unë dua t`ju jap ju fjalën e nderit, se jetën e tij të përditshme Sali Berisha nuk mund të jetë kryeministri apo udhëheqësi i këtij vendi, por do të jetë qytetar i këtij vendi që do të dëgjojë çdo dhimbje, çdo ankesë çdo hall, qëndroj dhe do të qëndroj prapa tyre gjer sa të jem në politikë. Qëndroj dhe do të qëndroj, se së bashku firmosëm Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit qëndroj dhe do të qëndroj, se së bashku aplikuam për në Bashkimin Europian. Qëndroj dhe do të qëndroj, se së bashku anëtarësuam Shqipërinë në NATO. Qëndroj dhe do të qëndroj, se së bashku pritëm në Shqipëri Xhorxh Bushin, se së bashku do të sjellim në Shqipëri miqtë më të mëdhenj të këtij vendi. Do të zhvillojmë marrëdhëniet më të shkëlqyera me fqinjët tanë, me miqtë tanë me SHBA-në, me vendet e tjera mike në Europë dhe Botë. Jam dhe do të mbetem, sepse së bashku do ta gatisim këtë vend, do ta ndërtojmë këtë vend do ta bëjmë nuse të Europës, do ta bëjmë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian, për të kthyer ëndrrën e shqiptarëve në realitet.
Rroftë Shqipëria,
Rroftë fitorja,
Rrofshi ju,
Rroftë kombi shqiptar.
|
|
| |