Flag this image

Big Brother Albania 2

BIG BROTHER 2, hapet sipari i surprizave

Sot fillon spektakli i madh ne Top Channel

Starton sot në mbrëmje edicioni i dytë i "Big
Brother Albania". Kush do të jenë banorët
e shtëpisë më të madhe dhe më të vëzhguar
në Shqipëri? Pse djemtë do të vazhdojnë të
triumfojnë mbi vajzat? Nga vijnë dhe çfarë
bëjnë? Kjo do të mbetet ende surprizë deri në
orën 20.45, në spektaklin që do të transmetohet
drejtpërdrejt në ekranin e "Top Channel"
Ajo që mund të zbulojmë në numrin e parë të
suplementit "Big Brother 2" është fare pak nga
mekanizmi zinxhir i përgjimit.


Loja emocionuese, ku triumfon vërtetësia


Ndryshe nga pjesa më e madhe e atyre
që janë të magjepsur pas ekranit
të vogël, autorja e programit "Big
Brother 2", Grazia Pracilio, tregon se nuk ka
ëndërruar të bëhet e famshme përpara kamerave,
por ka dëshiruar ta krijojë ajo vetë
një produkt televiziv. Autorja e spektaklit
më të madh "reality" në Shqipëri, "Big
Brother 2", që sonte mbrëma starton në
"Top Channel", ka studiuar balet klasik
dhe kjo e ka bërë të provojë emocionet
që të jep drita e kuqe e kamerës, përpara
se të provonte drithërimat e një prodhimi
cilësor televiziv, të krijuar me dashuri dhe
përkushtim nga pas tyre.
Grazia Pracilio ka pasur fatin të punojë
me emra të mëdhenj të televizionit italian,
madje ka qenë pjesë e suksesit të padiskutueshëm
të edicionit të parë të këtij lloji
formati "reality show", që në vendin fqinj
mban emrin "Grande Fratello".
Ajo nuk e fsheh surprizën e bukur që
ka pasur gjatë bisedave me kandidatët
për konkurrentë, ku rinia shqiptare i është
shfaqur plot energji dhe me një shpirt
mjaft të pasur.
Ndërkohë që prezantuesja e spektaklit,
Arbana Osmani, ka vendosur të mos
lëshojë asnjë intervistë mbi spektaklin,
Grazia nuk mbeti dot pa rrëfyer disa gjëra
pikante mbi përvojën e saj të parë me një
televizion shqiptar dhe garën televizive
"Big Brother 2", që do të mbajë para ekranit
të "Top Channel" mijëra shikues.
Çfarë ju pëlqeu dhe çfarë ju stepi kur
morët ftesën për të ardhur në "Big Brother
2"?
Zgjodha të vij në "Big Brother 2", sepse
kam punuar me spektaklin e parë të
"Grande Fratello"-s në Itali dhe nuk pashë
arsye pse të hiqja dorë nga prania ime në
këtë edicion të dytë të këtij "reality show"
shqiptar. Për mua, ndryshimi nuk është
mes Shqipërisë dhe Italisë, unë thjesht jam
në edicionin tim të dytë të këtij formati.
A mendoni se ata që marrin pjesë në
një "reality show" të tillë, janë kategori
njerëzish që lehtësisht do të bënin gjithçka
për para?
Jo. Jo të gjithë hyjnë në "Big Brother"
për para. Ka njerëz që e bëjnë
për të dhënë një imazh të ndryshëm
të vetvetes, ka që e bëjnë
për kureshtje, ka që e bëjnë për
t‘u zbavitur. Nuk mendoj se e
bëjnë vetëm për para.
A do të kemi një "Big Brother"
ndryshe këtë vit?
Pse?
Është gjithmonë ndryshe
"Big Brother". Po të
mos ishte në ndryshim, nuk
do të vazhdonin kaq edicione.
Diçka më shumë? Apo
surpriza e së shtunës mbrëma
nuk preket...?
Di që Arbana ka vendosur
të rrijë në heshtje totale
përballë mediave...ju
jeni shpresa e vetme
për të mësuar diçka...
Po, Arbana ka
zgjedhur të rrijë në heshtje për kënaqësinë
që natën e parë të spektaklit, të na dhurojë
një surprizë.
Megjithatë dua të di, konkurrentët do
të jetojnë si të varfër, apo si pashallarë?
(Qesh) Do të jetojnë...do të jetojnë si
konkurrentë.
Pra...do ta thajnë barkun?
Jo, "Big Brother 2" nuk është "Isola dei
Famosi". Por i uroj që t‘i tejkalojnë provat
javore, në mënyrë që të mbrojnë
të ardhurat e javës. Pak varet
prej tyre, por edhe nga ne,
sepse të them të drejtën,
nuk është se provat do t‘ia
japim shumë të thjeshta.
Sa i pashpirt do të jetë
"Big Brother 2"?
Nuk mendoj se është i
pashpirt, mendoj se është
një lojë. "Big Brother 2" do të jetë një
spektakël ku duhet luajtur.
A do të ketë rikthim në të shkuarën e
konkurrentëve, apo thjesht do të merremi
me jetën e tyre brenda "Big Brother"?
Nuk ekziston një jetë e izoluar vetëm
brenda shtëpisë së "Big Brother 2", apo
vetëm brenda kufirit kohor të kësaj loje, që
përjashton jetën që ata kanë bërë jashtë.
Ata janë këtu, si rezultat i asaj që kanë
jetuar mbi supe.
Çfarë ju ka lodhur më shumë deri tani?
Asgjë.
A do ta quanit humbje të madhe, sikur
në "Big Brother 2" të mos lindë një lidhje
dashurie, siç ndodhi me "Big Brother 1"?
Jo, nuk është ndonjë humbje e madhe,
në qoftë se vërtet nuk ndodh. Por ka lidhje
dashurie që shfaqen dhe histori që
nënkuptohen, unë kam shumë besim te
kureshtja e telespektatorëve.
Është krijuar ideja se të gjithë pjesëmarrësit
në "Big Brother" synojnë botën
e televizionit apo spektaklit, ju a do t‘i
ndihmoni konkurrentët që të shprehin
talentin me gara ku duhet të këndojnë,
kërcejnë, apo edhe aktrojnë?
Jo, nuk mendoj kështu.
Mes konkurrentëve të
këtij edicioni, ka prej
tyre që janë njerëz
të veçantë që janë në "Big Brother" për
tjetër arsye. Madje, njëri prej tyre, nuk
është në këtë "reality show" sepse dëshiron
të bëhet aktor, por unë e desha këtu, sepse
mendoj se është një aktor i lindur, që ende
nuk është zbuluar.
Nëse në shtëpinë e "Big Brother 2" do
të zotërojë monotonia, ju e keni formulën
fituese për t‘i bërë konkurrentët aktivë
në lojë?
Unë nuk mendoj se ata vetë do të
duan që të bien në monotoni dhe
nuk mendoj se ka formula magjike
që i nxjerr nga ajo gjendje.
Unë nuk jam magjistari i llambës
se Aladinit, por uroj që ata
të mund ta gjejnë një të tillë.
"Grande Fratello Italia" ka
pritur afërsisht tetë vjet që në
shtëpinë e atij spektakli të hyjë
një transeksual dhe së fundi një
i verbër. Po në Shqipëri, mendoni se
mund të ndodhë kjo gjë?
Unë them se është vetë Shqipëria ajo
që e vendos këtë gjë, nëse ndonjëherë do
të ndodhë.
"Big Brother" nuk është vetëm një
program televiziv, përndryshe do të kisha
punuar në spektakël. Ky format është i
vetmi që mundet të sjellë diçka që flet për
njerëzit e thjeshtë, sepse ata që e bëjnë
janë djem dhe vajza të zakonshëm. Ajo
që i dallon është vetëm dëshira për t‘u
shfaqur. Por "Big Brother" është edhe një
pasqyrë e asaj që është rinia sot dhe unë
kam mbetur e habitur nga lloji i temave që
prekin të rinjtë shqiptarë. Jam e lumtur dhe
them se është e rëndësishme që t‘i japim
mundësinë që të flasin.
Çfarë do t‘i jepte suksesin dhe shikueshmërinë
e menjëhershme këtij lloj
spektakli?
Marrëdhënia seksuale para kamerave?
Prania e një personi me aftësi të kufizuara?
Vetëdeklarimi i një gay?
Provokimi politik?
Grindja?
E vërteta, ajo që jep suksesin është e
vërteta. Triumfi i një spektakli të tillë ka
vetëm një formulë që të jetë i vërtetë. Nuk
ka asgjë që të bën më shumë për të qeshur
apo për të qarë, sesa e vërteta.
Nëse "Big Brother 2" do të ishte njeri,
si e imagjinoni?
Këtë pyetje, unë vetë ia kam bërë të
gjithë atyre që kanë ardhur për të hyrë në
spektakël. Përgjigjja e tyre ka qenë: Si një
vëlla të madh.
Ju vetë, do të hynit si konkurrente në
"Big Brother"?
Kësaj pyetjeje, unë i përgjigjem gjithmonë
jo, për faktin e thjeshtë se do të
humbisja atë që më pëlqen më shumë.
Mua nuk më pëlqen të rri para kamerave,
por pas tyre. Por kam një simpati të madhe
për ata që më japin mundësinë të jem në
këtë pozicion, pra janë ata që hyjnë në
shtëpinë e "Big Brother". Janë njerëz me
kurajë, të këndshëm, kanë një sens të
madh humori dhe mendoj se nuk kanë
frikë të shfaqin veten ashtu siç janë.
Keni një fjalë për lexuesit, shikuesit?
Të mos humbin takimin me "Big
Brother".


Eno Popi: Dashuria përsëritet

Edicioni i parë i "Big Brother
Albania" ishte si dashuria e
parë. Por, në këtë rast, me një
produksion krejt të ri, që merrte
udhë në "Top Channel". Eno Popi
u caktua të ishte një nga bashkëprezantuesit,
personi i parë që
do të kishte kontakt me banorët
e "Big Brother" e do t‘i shoqëronte
ata në hyrje dhe në dalje të kësaj
aventure të madhe televizive.
Të përjetosh emocionet, rrahjet
e zemrës dhe fjalët e fundit të
konkurrentëve para se të hyjnë
në shtëpinë më të vëzhguar nga
shqiptarët, është roli që do të
mbajë edhe në këtë edicion të
dytë. Eno rrëfen se kur i propozuan
të ishte i dërguari përpara
portës së madhe të "Big Brother
Albania", duhet të ndante emocionet
personale për angazhimin
më të ri profesional e po ashtu
edhe të mbante emocionet që do
të përcillnin banorët e përzgjedhur
në edicionin e parë.
Bashkëpunimi me Arbanën
I duhet edhe në këtë edicion
të bashkëprezantojë me Arbana
Osmanin. Natyrisht do të jetë
shpatulla mbështetëse e saj në
këtë "reality" në "Top Channel".
"Arbana është kolegia ime në ‘Top
Albania Radio‘ prej 10 vitesh. E
njohim gjatë e mirë njëri-tjetrin.
‘Big Brother‘ na bashkoi sërish
në punë e për rrjedhojë edhe komunikimin
e batutat i kuptojmë
mirë, ndaj ndihem mirë edhe këtë
radhë. Pesha kryesore e spektaklit
i takon Arbanës, por është bukur
që ta ndash këtë eksperiencë
televizive me të".
Emocionet përsëriten
"Big Brother Albania" këtë vit
hyn në edicionin e dytë, protagonistët
mbeten të njëjtë, por përmbajtja
dhe ajo çka ata do të sjellin
ndryshon. Eno Popi, si i dërguari
në shtëpinë e "Big Brother", do të
mbledhë të dielave në diskutime
dhe analiza ish-banorë të "Big
Brother", miq të banorëve të rinj
dhe fansa të atyre në "Big Brother
Fans Club", një "talk show"
i vërtetë mbi këtë produksion të
madh televiziv.


Ergys Lubonja: Sfida e natës së madhe


Për Ergysin, vjet ishte diçka
ndryshe. Ishte një aktivitet i
pabërë ndonjëherë në vendin
tonë, mbi të gjitha, jo në këto
përmasa. Duke pasur parasysh
se ishte një emision i blerë nga
"Endemol", kërkesa nga ana e
tyre, si për cilësi artistike edhe
kushte teknike, ishte shumë e
madhe", thotë Lubonja. "Ajo çfarë
e ndryshon të vjetshmen nga sivjet,
është se këtë vit është sfida
brenda nesh. Në edicionin e dytë
të këtij "reality show", na duhet të
krahasohemi me veten, na duhet
ta sfidojmë atë. Ky angazhim
është një impenjim shumë i
madh, sepse, përveç asaj që ndodh
në studio, duhet koordinuar i
gjithë informacioni që vjen si nga
pjesa e jashtme e shtëpisë, ashtu
dhe nga dy regjitë që ndjekin atë
çfarë ndodh në shtëpinë e ‘Big
Brother‘", thotë regjisori. Por pika
e fortë ku ai do të mbështetet
fort edhe në këtë start të dytë,
mbetet stafi profesional i "Top
Channel", stafi teknik dhe artistik,
bashkëpunimi i ngushtë me
autoren italiane të programit,
Gracia, e cila sjell gjithë eksperiencën
shumëvjeçare në këto
lloj formatesh. Ergysi vlerëson
shumë dhe punën e mirë të bërë
nga skenografi Mikael Drita, si me
studion ashtu dhe me shtëpinë.


Ndryshimet në shtëpinë e "Big Brother 2"


Cfare ndryshimesh ka pësuar
këtë vit shtëpia e "Big
Brother"?
Vitin e kaluar, ia dolëm
me sukses të realizonim një
spektakël me standarde të njëjta
si në vendet fqinje, që prej vitesh
zhvillojnë të tilla "reality show".
Eksperienca e vjetshme na dha
mundësinë që këtë vit të mendonim
ndryshe për shtëpinë e "Big
Brother". Menduam ta bëjmë sa
më dinamike përmes ngjyrave
dhe lojërave apo surprizave, pa
të cilat, ky show televiziv nuk ka
kuptim. Ndryshe nga vjet, këtë
vit, shtëpia ka më tepër vende
sekrete, më shumë sipërfaqe të
cilat do të shfrytëzohen për lojëra
e surpriza gjatë gjithë javës. Kjo
do të sjellë dinamizëm edhe
në jetën e banorëve, të cilët do
të jenë më të çliruar nga efekti
i mbikëqyrjes e survejimit të
kamerave. Dinamika e shtëpisë,
me ngjyrat dhe hapësirat e saj,
do të ndihmojë në nxjerrjen në
pah të veçorive e karakteristikave
të secilit prej 14 banorëve. Kemi
menduar të koordinojmë të dyja,
edhe shtëpinë edhe studion, për
t‘i dhënë një kuptim 100 ditëve
të qëndrimit të banorëve në
shtëpinë e "Big Brother". Natyrisht
që shtëpia është shumë e
bukur, shumë tërheqëse, e konceptuar
si një model ku çdokush
do ta kishte ëndërr të jetonte.
Banorëve që do të qëndrojnë
aty, nuk do t‘i mungojnë as fasilitetet,
por as dhe vështirësitë që
duhet të kalojnë gjatë ditëve të
qëndrimit.



Sytë e "Big Brother"


Asgjë e ngritur madhështore deri
më sot për edicionin e dytë
të "Big Brother" s‘do të kishte
kuptim pa grupin e teknikës, përmes
të cilit do të mundësohet survejimi i
14 banorëve të rinj, që do të ndajnë
së bashku 100 ditët e qëndrimit në
shtëpinë e re. Ethet e "reality show"-
t kanë përfshirë të gjithë stafin e
"Big Brother 2" e bashkë me ta edhe
Redi Nezirin, përgjegjësin teknik të
audios dhe videos në shtëpinë më të
famshme në Shqipëri. Ndërmarrja
e tij gjigande ka nisur punën prej
kohësh dhe tashmë gjithçka është
gati të fillojë, si spektakli i sotëm,
ashtu edhe jeta e re e 14 banorëve
në shtëpinë e re të "Big Brother". Me
djemtë e teknikës ai ka mbyllur të
gjitha përgatitjet për instalimin e 45
telekamerave të survejimit, 15 mikrokamerave,
5 kamerave (broadcast),
80 monitorëve, 20 PC, 4 pikave të
montazhit për prodhimin e gjithë
informacionit të mbledhur nga stafi i
"Big Brother", më shumë se 60 mikrofonave,
rreth 10000 metra kabull për
audio e video, 4 regji të ndryshme për
sinjalet, të gjitha këto për 96 orë regjistrim
në ditë, 8640 orë të regjistruara
për tre muaj, 3 mijë minuta përmbledhje
e 100 ditë-ngjarjeve, për 13 javë
spektakle. Të gjitha këto vetëm për
një shtëpi, ku do të jetojnë 14 banorët
më të famshëm në Shqipëri.
Survejimi
Syri vëzhgues i instaluar tashmë
në të gjithë hapësirën brenda shtëpisë
së ‘Big Brother 2‘ është në pritje
për të kapur edhe detajet më të vogla,
për të survejuar gjithçka ndodh aty
brenda, 24 orë në 24 e më pas për t‘ua
përcjellë teleshikuesve dhe fansave
të banorëve, të cilët nuk dyshohet
se do të jenë të shumtë. "Kemi pasur
parasysh që në çdo drejtim të
ruajmë dhe të plotësojmë kërkesat e
vendosura nga kompania "Endemol",
për sa i përket zinxhirit, përmes së
cilit do të përcillet informacioni nga
shtëpia te teleshikuesi, prodhimi
tij, ruajtja e më pas përpunimi. Janë
rreth 45 telekamera, të cilat gjithë
kohës qëndrojnë të ndezura, pra janë
në transmetim. Përveç tyre, brenda
shtëpisë janë instaluar dhe 15 kamera
të tjera, të cilat survejojnë çdo
lëvizje të banorëve gjatë 24 orëve. Kjo
strukturë teknike është konceptuar të
jetë e njëjtë sikurse një vit më parë,
në edicionin e parë të "reality show"-t
"Big Brother"-thotw Neziri. Gjithçka
e përgatitur deri tani brenda shtëpisë
është në përputhje me konceptin e
këtij programi, bazuar në përvojat
evropiane, pra survejimi 24 orë pa
ndërprerje, ditën e natën, pa humbur
asnjë çast, asnjë sekondë, asgjë nga
jeta e 14 banorëve.


ARBRI, NJË VIT MË PAS


Në bodrumin e një vile
që nuk bie dhe aq në sy,
brenda zonës së ish-Bllokut
në kryeqytet, fituesi i edicionit
të parë të "reality show"
"Big Brother", Arbër Çepani, ka
instaluar prej disa muajsh zyrën e
tij. "Ndryshimi fillon nga ti" është
motoja me të cilën 22-vjeçari ka
ndërtuar tanimë fushatën sensibilizuese,
i ndihmuar nga një rrjet
të rinjsh vullnetarë. Ajo që e bën
të veçantë "rezidencën" e Arbrit
është modifikimi që i ka bërë
bodrumit, duke e shndërruar atë
nga një ambient të harruar, në
një kullë të vërtetë malësie. Aty
gjen gjithçka që duhet të ketë një
strehë bajraku. Bucelat, sëpata e
varur në mur, apo stiva e druve e
improvizuar aq bukur, sa për një
moment të duken se janë përdorur
realisht për shkak të ambientit
të ngrohtë aty brenda. Në
mes të dhomës është e shtruar
sofra e drurit dhe në qoshe të
saj, shiltet me lesh deleje. Ajo
çka na sjell në kohë e na bën të
buzëqeshim janë shishet e verës,
likeret mbi sofër. Përsëri të gjitha
këto nuk e zbehin imazhin e një
kulle brenda një vile moderne.
Që nga dita kur fitoi 50 mijë euro
e deri më sot, kanë kaluar më
shumë se gjashtë muaj. Sot, në
prag të nisjes së edicionit të dytë
të "reality show" më të madh
në vend, kemi në dorë të gjithë
preventivin e projekteve që Arbri
dhe grupi i vullnetarëve ka
zbatuar në një periudhë kohore
prej tetë muajsh.
Pas këtyre aktiviteteve, a
mund ta dimë edhe sa para ju
kanë mbetur?
Nuk merremi me tenderime
(qesh). Është një punë e përditshme,
ka kosto dhe nuk i kemi
bërë një buxhet real asaj që kemi
bërë ne tani. Ajo çka ne kemi bërë
deri tani, në qoftë se do ta krahasonim
me koston e ndërtimit
të një autostrade, jemi në mes të
rrugës, kemi lekë për të investuar
akoma, për ta mbyllur nga fillimi
deri në fund.
Sa e gjatë mendoni se do të
jetë kjo autostradë, siç ju preferoni
ta cilësoni?
Ajo çfarë presim të bëjmë,
është dhe një herë aq sa kemi
bërë.
Doja të shtoja diçka për "Big
Brother"-in, të gjithë ata shqiptarë
që na kanë ndjekur në edicionin
e parë, i ftoj të na ndjekin
dhe në këtë event të dytë, sepse
do jetë një edicion plot surpriza e
gjëra argëtuese, do të jetë një edicion
ku një nga surprizat ndoshta
mund të jem dhe unë. Ndiqni
datën 7 shkurt, do të jetë një natë
plot surpriza, rrini të gozhduar,
sikurse keni ndenjur tre muaj në
"Big Brother"-in e parë, ashtu
qëndroni dhe në të dytin.


Psikologjia në telenovelën reale


Enila Cenko, psikologia zyrtare
e "Big Brother", ka qenë pranë
konkurrentëve në momentet
e tyre të para të prezantimit me një
kamerë. Intervistë pas interviste, ka
ndjekur emocionet e atyre njerëzve,
të cilët janë gati të shndërrohen në
personazhe duke qenë në vëzhgimin
e pandërprerë të kamerave për 2376
orë.
Se si do të rrjedhin ngjarjet në
shtëpinë më të famshme e më të
vëzhguar në Shqipëri, mund ta zbulojmë
vetëm kur koha të mbarojë. Do
të pëlqente të fliste për atë që e di me
siguri; përvojën e një viti më parë.
"Big Brother 2" mbetet ende një
surprizë. Një gjë është e sigurt, ajo
do të vazhdojë të qëndrojë pranë të
gjithë banorëve të rinj, pse jo, duke
"kursyer" edhe orët e gjumit. Sepse
telenovela e jetës reale, siç Enila parapëlqen
ta quajë, të përfshin në çdo
sekondë të ngjarjeve.
Cila ka qenë marrëdhënia juaj me
18 banorë në 100 ditët e një viti më
parë?
Gjatë eksperiencës sime profesionale,
kam punuar me njerëz të
moshave të ndryshme dhe
nga sfera të ndryshme
të jetës. Por në rastin
e "Big Brother", u
prezantova me 18
banorë, të përzgjedhur
qëllimisht për
të qenë të ndryshëm
për sa u përket personaliteteve
të tyre, përvojave
jetësore dhe këndvështrimeve
që kanë mbi jetën.
Sa ndryshon komunikimi mes
tyre, mes marrëdhënies që ju keni
me klientët në punën nën studion e
psikologut?
Këta banorë u vendosën në situata
artificiale dhe shpeshherë të ngarkuara
emocionalisht, të një lloji të
veçantë, që shumë pak njerëz mund
të provojnë në jetë. Këto arsye kanë
bërë që dhe puna ime me ta të ishte
e një natyre të ndryshme nga ajo që
karakterizon marrëdhëniet e zakonshme
psikolog-klient. Për më tepër,
gjatë kohës që banorët ndodheshin
brenda në shtëpi, komunikimi midis
nesh kryhej nëpërmjet mikrofonave
dhe një kamere nëpërmjet së cilës
unë i shihja banorët, por jo ata mua.
Pamundësia e kontaktit të drejtpërdrejtë
fizik dhe faktorë të tjerë të
ngjashëm, më kanë dhënë mundësinë
që të përballesha me aspekte të
reja të marrëdhënies me klientët, gjë
që e vlerësoj si mjaft të rëndësishme
në nivelin profesional.
Duke qenë se roli i psikologut
është për t‘u kujdesur për mirëqenien
emocionale të klientit, sa keni
mundur të ruani etikën në një
spektakël të tillë, në dukje paska
kontradiktor?
Në marrëdhënien me klientët,
qëllimi kryesor i psikologut është të
përkujdeset për mirëqenien emocionale
dhe mbarëvajtjen e shëndetit
mendor të tyre. Për këtë arsye, puna
ime me banorët është përqendruar
tërësisht mbi mirëqenien e tyre,
duke lënë mënjanë qëllimisht pjesën
e spektaklit që kishte të bënte me
"lojën" e banorëve për çmimin fitues.
Jam përpjekur vazhdimisht që të
mbaj një qëndrim të hapur dhe jo
gjykues ndaj banorëve, në mënyrë që
të krijoj një marrëdhënie terapeutike
me ta.
Sa konfidenciale është
marrëdhënia juaj me ta?
Marrëdhëniet e mia me
secilin nga banorët e "Big
Brother" kanë qenë tërësisht
konfidenciale, sipas rregullave
të etikës së psikologut.
Nuk keni pranuar për të qenë opinioniste
gjatë netëve të spektaklit,
ishte një zgjedhje personale?
Jo. Profesionale. Kam zgjedhur
të mos shfaqem si opinioniste në
spektaklin "live" të të shtunave mbrëma,
pasi dhënia e opinioneve mbi
sjelljen apo veprimet e banorëve do
të thyente konfidencialitetin e marrëdhënieve
të vendosura mes nesh.
A e kanë pasur të lehtë të hapen
personazhet e "Big Brother" me ju?
Nuk kam pritur dhe nuk i kam
shtyrë banorët që të "rrëfehen" tek
unë për ngjarje të mëparshme të jetës
së tyre, pasi dhe marrëdhënia jonë ka
qenë e fokusuar në të tashmen dhe jo
në të kaluarën.
A ka pasur raste që kanë bërë
rezistencë ndaj nevojës për të marrë
shërbimin e psikologut?
Jo, nuk kam hasur rezistencë nga
banorët e "Big Brother". Por, sigurisht
që banorë të ndryshëm, e kanë
shfrytëzuar në mënyra të ndryshme
mundësinë e bashkëbisedimeve, disa
më shpesh e disa më pak.
Cili ka qenë momenti më i vështirë
për ju gjatë punës me ta?
Momenti më i vështirë për mua
ka qenë dita e shpërthimit në fshatin
Gërdec, ngjarje të cilën banorët e
shtëpisë së "Big Brother" e përjetuan
fare afër.
Sa kohë në ditë harxhonit me ta?
Orë pafund. Jo sepse komunikoja
drejtpërdrejt me ta në mënyrë konstante,
ndonëse dhe bashkëbisedimet
tona nuk kanë qenë të pakta. Por natyra
e punës sime ishte e tillë që duhet
t‘i ndiqja vazhdimisht zhvillimet në
shtëpinë e "Big Brother" nëpërmjet
ekranit.
Ç‘mendim keni për sjelljet, reagimet
dhe veprimet e tyre brenda
shtëpisë?
Mendoj se falë sjelljeve, reagimeve
dhe veprimeve të tyre shpesh origjinale,
banorët na kanë dhuruar një
spektakël tepër argëtues.
Duke qenë se ky spektakël vendoste
shpesh rregulla dhe sanksione, a
mendoni se ka ndikuar në rritjen e
stresit te banorët?
Sigurisht që po. Vendosja e një
sistemi të fortë kontrolli nga ana e
"Big Brother" është një nga elementët
kryesorë të spektaklit, së bashku
me izolimin nga bota e jashtme,
bashkëjetesën me të panjohur dhe
jetesa në kushte bazike. Është kombinimi
i këtyre faktorëve që e bën
interesante qëndresën e banorëve
në këtë shtëpi, pasi atyre ju duhet të
menaxhojnë stresin që vjen si pasojë
e tyre; ndërkohë që duhet të punojnë
për të fituar çmimin e madh.
Si do ta vlerësonit këtë spektakël?
"Eksperiment psikologjik?"
Më tepër se një eksperiment psikologjik,
do ta quaja një "telenovelë të
jetës reale".


Igli Gjelishti: "Big Brother" online


Eshtë mënyra e vetme që
i mban fansat në kontakt
me gjithçka ndodh brenda
shtëpisë së "Big Brother", në pamundësi
për ta ndjekur këtë "reality
show" në shtëpi, para televizorit.
Duke qenë se një pjesë e njerëzve
janë në zyra apo
udhëtim, njerëzit
nuk qëndrojnë
pas televizorit, kjo
është një mënyrë
që i mban në kontakt
me të rejat nga
jeta e banorëve.
Faqja e internetit
do të përmbajë lajme
çdo minutë,
video të përmbledhjeve
ditore e të
përjavshme, përfshirë
dhe spektaklin
e së shtunës, pjesë
të patransmetuara
në ekran gjatë javës.
Nuk do të mungojë
forumi dhe chat-i, dhe
pa dyshim, pjesa më
e veçantë, intervista
me banorin e eliminuar,
fotogaleria me
momentet e shtëpisë
që abdetohen minutë
pas minute e ditë pas
dite dhe informacione
të përgjithshme, rregullorja,
kushtet e shtëpisë,
sjelljet me njëri-tjetrin, gjithçka e
vendosur nga autorët e këtij programi.
Temat do të jenë ngacmuese, diskutimet
pa limit, debatet të nxehta
në chat për gjithçka pritet të ndodhë
gjatë bashkëjetesës 100-ditore
të 14 banorëve me njëri-tjetrin në
shtëpinë më popullore, "Big Brother".
Por, mbi të gjitha, foto e video
të regjistruara në 24 orë mbi jetën e
tyre, të gjitha këto do të jenë thelbi i
faqes së internetit të "reality show"
"Big Brother". Të gjitha hallkat e saj
do të funksionojnë me
një qëllim të përbashkët,
përcjelljen e informacionit
sa më shpejt te fansat
e 14 banorëve të "Big
Brother". Suksesi është i
garantuar. Këtë e pohon
me bindje dizajnuesi
i faqes së internetit,
i cili
bazohet mbi
përvojën
e një viti
më parë.
Ig l i n u k
e k i s h t e
imagjinuar
se popullariteti i faqes
do të ishte aq i madh.
Informacionet mbi
gjithçka bëhej aty
brenda shtëpisë u
përcollën për gati
30 mijë vizitorë në
ditë, por kulmi i vizitave
vinte sidomos
pas debateve
të nxehta, ngjarjeve
të vrullshme dhe
shumë shpesh të
paparashikueshme që u ndodhnin
banorëve me jetët e tyre.
Foto galeria
Faqja u përgatit mbi bazën e
kërkesave të kompanisë "Endemol",
sipas standardeve që ajo kishte.
Lajmet online përcjellin gjithë
pasqyrimin e ngjarjeve që ndodhnin
brenda shtëpisë, konfliktet,
debatet, diskutimet që banorët
bënin gjatë 24 orëve në shtëpi me
njëri-tjetrin. Për t‘i shtuar larminë
dhe llojet e informacioneve, u
mendua hapja e një fotogalerie,
brenda së cilës ndodhen fotot nga
momentet më kulmore të ditës. I
shtuam kësaj dhe një seksion më
vete për videot ku pasqyroheshin
të gjitha përmbledhjet e ditës,
spektaklet e së shtunës. E reja që
shkaktoi dhe shumë debate vitin
e kaluar, ishte futja në fotogaleri e
videove ku jepeshin momente të
pazbuluara në transmetimet
e përditshme,
apo në studio gjatë
spektaklit, kjo për
shkak të përmbajtjes
së tyre. Kujtoj
këtu, mëngjesin
e parë të Olsit e
Noçes, apo detaje
të tjera të lidhjes së
tyre gjatë ditëve të
qëndrimit në shtëpi. Pjesë
e rëndësishme e faqes së internetit
ishte dhe intervista me banorin e
eliminuar të javës. Përmes intervistës,
fansat e tij mësonin se si shkonin
ditët "në liri" jashtë shtëpisë, të
thënat dhe të pathënat mbi jetën e
kaluar në shtëpinë e "Big Brother".
Forumi e Chat-i
Seksioni më i zjarrtë në faqen
e internetit të "Big Brother" është
chat-i midis banorëve të eliminuar
dhe fansave, komunikimi i tyre
është i hapur e pa censurë, por i
rregullt për sa i takon përmbajtjes.
Vitin e kaluar, ky ishte momenti
më kulmor i javës. Forumi ishte
një tjetër bum i "Big Brother 1".
Në të u dërguan mbi 40 mijë postime
në 100 ditët e qëndrimit
të banorëve në shtëpi, shifër kjo
e paimagjinueshme. Në forum
kishte debate nga të gjitha llojet.
Temat kryesore ishin kryesisht ato
dedikuar banorëve të shtëpisë së
"Big Brother", çdo anëtar kishte
një temë të vetën. Tema të tjera
ishin historitë e dashurisë, fillimisht
Noçja me Olsin, e më pas
Poli me Inën. Numri i vizitorëve
ishte i madh, kishte mesatarisht
25 mijë-30 mijë vizitorë, por kulmi
arrinte mbrëmjen e spektaklit, ku
të gjithë donin të mësonin emrin
e banorit të nominuar. Këtë vit,
faqja e internetit do të pasurohet
me më shumë video nga jeta e 14
banorëve të rinj të shtëpisë së ‘Big
Brother‘".

bigbrother.jpg
big_brother_albania_II.jpg
big_brother_albania_2~1.jpg

Add your comment / Shkruaj nje koment b u i s size tt color hr quote img youtube
Name Comment
Confirmation 
Laughing :lol: Razz :-P Very Happy :-D Smile :-) Neutral :-| Sad :-( Crying or Very sad :cry: Cool 8-) Surprised :-o Confused :-? Embarrassed :oops: Shocked :shock: Mad :-x Rolling Eyes :roll: Wink ;-) Idea :idea: Exclamation :!: Question :?:


Comment 1 to 4 of 4
Page: 1

Unapproved comment   [Jan 30, 2012 at 02:00 PM]
Someone has posted a comment here. It will be visible after admin approval.
astrit   [Apr 05, 2009 at 06:58 PM]
o si quhet faqja qe mund te votoj per mes internetitt kaloni sa me mir Astriti Mitrovice
peja   [Mar 01, 2009 at 05:23 AM]
o si mundem ta shikoj big brother ne internet a ka far ndihme
shkupi   [Feb 08, 2009 at 10:24 PM]
jam nga shkupi kam nje lutje per big brother albania2 te na leshoj ne kabeltel big brother 2 si vitin e kaluar ju lutem shum kam shum deshir ta shikoj big brothe albania ju uroj shum sukses ne big brother 2

Comment 1 to 4 of 4
Page: 1