|
|
Liberta Spahiu by Lea-Pz
|
Modelistja Liberta Spahiu nuk zbulon projektet e saj. Konsideron se paraja, bukuria dhe dashuria nuk janë më të rëndësishmet, kurse ka pasion sfilatat e shumta, leximin e librave, shikimin e filmave dhe vizitat në vendet e ndryshme
Liberta Spahiu është modele mjaft e suksesshme, e cila ka një paraqitje joshëse dhe stil ekstravagant. Ajo ka kohë që duket nëpër reklama të ndryshme të kompanive më të njohura në vend, ku prezanton koleksione të ndryshme të veshjeve dhe preparateve kozmetike.
“Kosova Sot”: Jeni modele e suksesshme, si ia arrini?
Liberta Spahiu: Suksesin gjithmonë e kam arritur me punë dhe vullnet të madh për modelimin. Nuk është një profesion goxha i vështirë, por në disa raste edhe mjaft më lodh. Mirëpo, unë e dua modelimin dhe ia arrijë që të kem suksese. Tani bëhen shumë vjet që merrem me modelim dhe vazhdoj ende këtë ritëm të madh të paraqitjeve të mia nëpër revy, reklama për kompanitë e ndryshme të vendit.
“Kosova Sot”: Cilat janë sukseset dhe dështimet më të mëdha gjatë karrierës suaj?
Liberta Spahiu: Suksese kam pasur shumë deri më tani dhe, përveç sukseseve në modelim, kam pasur suksese edhe në studime. E sa i përket dështimeve çdo njeri besoj se dështon ndonjëherë, kështu që edhe unë kam pasur dështime në profesion, mirëpo tani për tani nuk po më kujtohet ndonjë.
Modelimin hobi
“Kosova Sot”: Me çfarë keni qenë e angazhuar së fundi në fushën e modelimit?
Liberta Spahiu: Së fundi kam marrë pjesë në një revy mode për shkaqe humanitare, që u mbajt në “Bo Bowling” në Prishtinë. Pastaj kam prezantuar koleksione për disa kompani vendore.
“Kosova Sot”: Cili është momenti më i lumtur dhe ai më i hidhuri që e keni pasur gjatë karrierës suaj?
Liberta Spahiu: Kam pasur shumë momente të lumtura, por gjithashtu edhe të hidhura. Normalisht, si çdo njeri, mirëpo nuk do të përmendja diçka konkrete.
“Kosova Sot”: A do të vazhdoni edhe në të ardhmen me modelim apo do të ndërpritni këtë profesion?
Liberta Spahiu: Meqenëse në Kosovë modelimin mund ta kem vetëm hobi, atëherë ma merr mendja që do të vazhdoj me këtë derisa të mundem.
“Kosova Sot”: Është vështirë të jeni modele në Kosovë?
Liberta Spahiu: Është më se e vështirë, sepse nuk ke përkrahje nga askush, nuk interesohet asnjë institucion për të zhvilluar këtë fushë, prandaj të jesh një modele në Kosovë është diçka katastrofale. Mirëpo unë nuk varem vetëm prej këtij profesioni, andaj kam vendosur që këtë profesion ta kem më shumë si hobi. Por, shpresoj që tashmë me pavarësinë e Kosovës do të ndryshojë diçka dhe do të përmirësohet fusha e modelimit.
“Kosova Sot”: Mendoni se në Kosovë ka mjaft modele dhe është një lloj konkurrence?
Liberta Spahiu: Mund të them se ka mjaft prej tyre, po ashtu edhe konkurrencë ka, por secila ka atë pikëpamjen e vet, kështu që të gjithave u kisha uruar fat. Le të vazhdojnë dëshirën e tyre për këtë fushë. Shpresoj që në të ardhmen të krijohen kushte më të mira për fushën e modelimit.
“Kosova Sot”: Përveç pjesëmarrjeve nëpër revy, çfarë bëni tjetër?
Liberta Spahiu: Mund të them se te ne në Kosovë nuk ka angazhime të mjaftueshme për të zhvilluar modelizmin, andaj unë, përveç këtij profesioni, dhe atij që studioj, kam gjetur kohë edhe për të punuar, punoj në një kompani të arkitektëve në Prishtinë.
Vajza e çmimeve
“Kosova Sot”: Cilat çmime të dhanë famën?
Liberta Spahiu: Kam çmime të shumta, mirëpo do t’i cekja disa që më bërën shumë të suksesshme në këtë drejtim si: “Kosova new face” e vitit 2000, ku u zgjodha fituesja e dytë. Më pas mora pjesë në Zvicër, në “Miss Diaspora”. Pastaj në “Miss Albania” ku shkova deri në finale.
Në vitin 2001 mora pjesë në ishullin Malta “Miss bikini of the world” që u kurorëzova me çmimin “Miss Press” nga gazetarët e mediave të ndryshme. Më pas jam shpërblyer me “Trofe për popullaritet” në dhjetëvjetorin e revistës “Miss”. Pastaj kam marrë pjesë dhe ende vazhdoj të marr nëpër revy të ndryshme të modës brenda dhe jashtë vendit.
“Kosova Sot”: Pasionet tuaja?
Liberta Spahiu: Kam pasion sfilatat e shumta, leximin e librave dhe filmat, vizitat në vende të ndryshme.
“Kosova Sot”: Bukuria, paraja, dashuria, cila është më e rëndësishmja për ju?
Liberta Spahiu: Asnjëra prej tyre nuk është e rëndësishme për mua, të gjitha këto janë të lidhura njëra me tjetrën.
“Kosova Sot”: Keni ndonjë projekt për të ardhmen?
Liberta Spahiu: Po, kam mjaft projekte, mirëpo nuk dua t’i zbuloj, do i shihni me kohë.
“Kosova Sot”: Mesazhi juaj për fund?
Liberta Spahiu: Faleminderit për intervistën, shfrytëzoj rastin t’i përshëndes të gjithë lexuesit e gazetës “Kosova Sot”.
|
|
| |