|
|
Intervistë e Elvana Gjatës: Këngën dhe aktrimin i kam në zemër - by Lea-Pz
|
Elvana Gjata thotë se ka talent për aktrim, por nuk është marrë ende me këtë. Tash, meqë studion regjinë, do të merret edhe me aktrim. Mendon se do të gjejë kohë për të dyja, edhe për këngën, edhe për aktrimin. Më shumë për videoklipin e saj më të ri, bashkëpunimin me kosovarët, sukseset dhe për dukjen, flet ajo në intervistën për “Kosova Sot”
Këngëtaren Elvana Gjata e adhurojnë pothuajse të gjithë. Brenda një kohe të shkurtër arriti të ketë mjaft suksese. Këngët e saj janë bërë hite dhe po dëgjohen mjaft nëpër ekranet televizive dhe radio. Ajo së fundi ka realizuar këngën më të re, të quajtur “Vetes”, së cilës ia ka përgatitur edhe videoklipin. Elvana duket se edhe me këtë këngë do të ketë shumë suksese, sikurse “Mamës”, videoklipet e së cilës i ka realizuar me produksionin kosovar “Pixels”. Më shumë rreth projektit të saj të fundit flet në intervistën për “Kosova Sot”.
“Kosova sot”: Ditë më parë, keni lansuar në treg videoklipin e këngës “Vetes”, si e komentoni?
Elvana Gjata: Jam shumë e kënaqur me këtë realizim, këngën e kam punuar me shumë përkushtim. Duket se kënga është duke u pëlqyer mjaft në publik, sepse pak ditë pas lansimit kam marrë shumë kritika të mira. Pra, me këtë kam kuptuar se edhe ky është një sukses i radhës.
“Kosova Sot”: Kush e bëri komponimin, tekstin e këngës?
Elvana Gjata: Komponimin e ka bërë Flori, ndërsa tekstin e kam përgatitur vetë. Është një këngë që ka një tekst me domethënie, të paktën kështu jam përpjekur të jetë.
Bashkëpunimi
me kosovarët
“Kosova Sot”: Edhe këtë herë vini me një bashkëpunim të “Pixels”?
Elvana Gjata: Po, bashkëpunimi me produksionin kosovar “Pixels” më ka sjellë shumë suksese. Vlen të ceket kënga “Mamës” videoklipin e së cilës e punova me ta. Andaj kjo më ka shtyrë që edhe klipin e këngës së re “Vetes” ta punoj me këtë produksion kosovar. Vlen të punohet me “Pixels”.
“Kosova Sot”: Përse keni vendosur që promovimin e këngës ta bëni fillimisht në Kosovë?
Elvana Gjata: Përderisa jam duke punuar me kosovarët, mendova që këtu ta bëj edhe promovimin. Ndihem si në shtëpinë time kur jam këtu. Jam shumë e kënaqur që pata shumë miq dhe dashamirë të mi në mbrëmjen e promovimit të këngës dhe videoklipit. I falënderoj të gjithë.
“Kosova Sot”: Sa jeni të kënaqur me arritjet tuaja deri më tani?
Elvana Gjata: Sigurisht që jam e kënaqur dhe në fakt nuk e kam pritur këtë arritje, edhe pse kam punuar shumë për vendin që kam zënë në tregun muzikor. U jam shumë mirënjohës fansave të mi, të cilët e kanë pëlqyer këngën time.
“Kosova Sot”: Suksesin e madh jeni duke e vazhduar akoma me këngët e reja, kush e ka meritën për këtë?
Elvana Gjata: Po, suksesin e madh e kam arritur me realizimin e disa këngëve. Që kur u njoha me Florin, i cili është edhe menaxheri im fillova të arrij suksese të madh, pra e falënderoj atë.
“Kosova Sot”: Përveç këngës, merreni me diçka tjetër?
Elvana Gjata: Unë studioj regji teatri, jam në vitin e tretë. Që e vogël më ka tërhequr shumë teatri dhe kam dashur që të jem gjithnjë pjesë e tij. Prandaj, si aktore apo regjisore, të dyja janë shumë të mira.
“Kosova Sot”: Mendoni se keni talent për aktrim?
Elvana Gjata: Po, gjithnjë kam pasur talent për aktrim, por nuk jam marrë me të. E tash, meqë studioj, besoj se, përveç regjisë, do të merrem edhe me aktrim.
“Kosova Sot”: Mund t’ia dilni edhe me këngë, edhe me regji e aktrim?
Elvana Gjata: Pa diskutim që do të jetë e vështirë, por duke i pasur të dyja në zemër besoj se do të gjej kohën edhe për njërën, edhe për tjetrën.
Dua vendet e qeta
“Kosova Sot”: Cila është ëndrra juaj e parealizuar?
Elvana Gjata: Nuk kam ëndërr të parealizuar, të gjitha i kam realizuar ngapak-ngapak. Edhe kur kam qenë
e vogël kam dashur që të bëhem me këto profesione që kam tani.
“Kosova Sot”: Sa i kushtoni rëndësi dukjes suaj?
Elvana Gjata: Në jetën e përditshme fare nuk i kushtoj rëndësi. Duke qenë e tillë, vetë aktiviteti im nuk më lë të merrem me veten time, sepse tërë ditën jam në lëvizje shkollë- shtëpi. Dua të jem praktike, jo e ngarkuar me grim. Ndërsa kur jam në skenë padyshim se dukjes i kushtoj mjaft rëndësi.
“Kosova Sot”: Ku furnizoheni me veshje?
Elvana Gjata: Dua që gjithmonë të jem me një paraqitje të veçantë në skenë. Më pëlqen që veshja ime të jetë e llojit të këngës. Gjithmonë veshja të përshtatet me këngën, nuk më pëlqen shumë klasikja dhe fatmirësisht veshjet i gjej te butiku i Florit, i cili ka gardërobë me firma nga jashtë.
“Kosova Sot”: Si e kaloni kohën e lirë?
Elvana Gjata: Kohën e lirë zakonisht e kaloj me shoqëri, i dua vendet e largëta dhe të qeta.
“Kosova Sot”: Do të flisni diçka për jetën tuaj private?
Elvana Gjata: E vërteta është se nuk preferoj të flas për jetën time private. Unë jam mjaft publike, kështu që jeta private le të jetë private.
“Kosova Sot”: Keni ndonjë plan për të ardhmen?
Elvana Gjata: Plane kam shumë, por shpresoj që gradualisht t’i realizoj. Normalisht që duhet të punoj edhe më shumë, në mënyrë që të arrij atë që e dëshiroj.
“Kosova Sot”: Ndonjë mesazh për fund?
Elvana Gjata: Ju falënderoj për intervistën. I përshëndes të gjithë fansat e mi kudo që gjenden. Pretendoj se do të sjell këngë dhe videoklipe të mira në të ardhmen.
|
|
| |
I am kind of surprised to see this!