|
|
Nis procesi gjyqësor për vrasjen e policit Triumf Riza
|
Babai i Triumfit: Probleme me Sekiraqën, që nga viti 2000, Gjatë seancës gjyqësore kanë dhënë dëshmitë e tyre Shefqet Riza, babai i policit të ndjerë, Visar Riza, vëllai i të ndjerit, Adelina Ismajli, e dashura e Triumfit me nënën Mona dhe motrën Ema 15 Tetor, 2008
Prishtinë, 14 tetor
Një vit e dy muaj pas vrasjes së policit Triumf Riza, nën masa të rrepta të sigurisë për shqyrtim kryesor janë sjellë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë dy të akuzuarit Arben Berisha dhe Fitim Avdiu. Më pas, në bankën e të akuzuarve para trupit gjykues, që udhëhiqej nga gjyqtari Mejdi Dehari, u ul edhe i akuzuari i tretë Agron Emini, i cili po mbrohet në liri. Gjatë seancës së sotme gjyqësore kanë dhënë dëshmitë e tyre Shefqet Riza, babai i policit të ndjerë, Visar Riza, vëllai i të ndjerit, Adelina Ismajli, e dashura e Triumfit, Mona Ismajli, e ëma e Adelinës dhe Ema Ismajli, e motra e Adelinës.
Tre të pandehur në bankë të zezë
Gjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen e policit Triumf Riza kishte qenë i planifikuar të mbahej më herët, mirëpo gjyqtari i rastit ishte suspenduar nga puna, dhe si e tillë lënda i është ndarë më pas gjyqtarit Mejdi Dehari. Hetimet në këtë rast janë zhvilluar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, përkatësisht nga prokurori Reshat Millaku. Sipas organeve të akuzës, dorasi i policit Triumf Riza është Arben Berisha, i cili e ka pranuar veprën edhe sot në gjykatë, përderisa akuzën e ka mohuar. Ky i fundit, sipas aktakuzës, për këtë vrasje ka qenë i shtyrë nga Enver Sekiraqa dhe Ilir e Rrahim Avdullahu. Një gjë të tillë i akuzuari Berisha e ka mohuar gjatë deklaratës së tij në hetuesi. Aktakuza, përveç Arben Berishës, e ngarkon edhe Fitim Avdiun se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë. Këta dy persona gjenden prapa grilave, derisa në aktakuzë përfshihet edhe Agron Emini, i cili akuzohet për moslajmërim të veprës penale e që po mbrohet në liri. Tre të akuzuarit e tjerë që janë të përfshirë në këtë akuzë ndaj, të cilëve gjykata për ta ka lëshuar fletarrestimin, janë Enver Sekiraqa dhe Rrahim e Ilir Abdullahu, të cilët akuza i ngarkon se janë planifikuesit e vrasjes së policit Riza, në pasditen e 30 gushtit të vitit të kaluar.
Akuza
Aktakuza bën të ditur se vrasja e Rizës ka ardhur si shenjë hakmarrjeje, për një konflikt që kishte pasur Riza me Sekiraqën që nga viti 2005. Sherri mes këtyre personave kishte filluar qysh në dhjetor të vitit 2005, në lokalin "Sviss Casino" në Prishtinë. Triumf Riza, sipas aktakuzës, e kishte rrahur Enver Sekiraqën, me çka ky i fundit kishte marrë lëndime trupore. Rrahja kishte ardhur për shkak se Riza ishte njoftuar me këngëtaren Adelina Ismajli, e cila e kishte informuar atë se Sekiraqa shumë herë i kishte kërkuar reket asaj. Qysh në njoftimin e tyre, Riza i kishte thënë së dashurës së tij që të mos i jepte më të holla Sekiraqës. Plani për vrasjen e policit Riza ishte bërë edhe për shkak të dyshimit se kinse Triumfi ka qenë shtytës për rrahjen që kishte pësuar Sekiraqa nga policët e SHPK-së, në vitin 2006 në qytetin e Ferizajt. Të shtyrë nga këto ngatërresa, pesë të pandehurit akuzohen të jenë marrë vesh që Triumf Rizën ta privojnë nga jeta. Vrasja e tij kishte ardhur pas një përcjelljeje të gjatë, që të pandehurit në bashkëpunim mes vete ia kishin bërë të ndjerit. Në ditën kritike, kur Arben Berisha dhe tre persona, që janë në arrati, kishin qenë në kafenenë "Sekiraqa", sipas akuzës thuhet se i pandehuri Fitim Avdiu, nëpërmjet një mesazhi telefonik, i kishte njoftuar ata në lidhje me vendndodhjen e personit që e kishin pasur cak. "Në parking te 'Grandi' kojshia e kish dramën", i kishte shkruar Fitimi të pandehurit Ilir Abdullahu, duke aluduar në veturën e Triumf Rizës, banesa e të cilit kishte qenë përballë kafenesë "Sekiraqa". "Arben Berisha së bashku me Ilir e Rrahim Abdullahun kishin shkuar më pas te lokalet në kompleksin "Santea". Arbeni i armatosur kishte shkuar te një lokal në afërsi të kafenesë tjetër "AM PM", vend ku Riza kishte pirë kafe vazhdimisht, derisa shokët e Arbenit kishin pritur në një lokal tjetër. Në momentin kur Triumfi kishte dalë nga ai lokal dhe ishte nisur për te vetura e tij në parking, Arbeni i kishte shkuar pas me vrap dhe pas shpine e kishte goditur në mënyrë dinake. Për 11 plumbat e shkrepur në drejtim të policit Riza, Berisha të martën do të përgjigjet para drejtësisë", kështu thuhet në akuzë. Pasi që gjyqtari paralajmëroi edhe tri data për mbajtjen e seancave, për avokatët Bajram Tmava, Fetije Uka dhe Ramiz Krasniqi u duk kjo sikur po shpejtohet procesi, dhe të njëjtit pak minuta më vonë, pas ca kundërshtimeve të tjera, kanë kërkuar që gjykimin ta udhëheqë një trup gjykues ndërkombëtar. Por edhe kjo kërkesë u refuzua dhe kështu filloi shqyrtimi kryesor.
Dëshmia e babait të Triumfit
I pari që u soll në bankën e dëshmive ishte Shefqet Riza, babai i policit të ndjerë. Gjatë dëshmisë, ai tha se djali i tij nuk ka pasur me askënd probleme, as gjatë kryerjes së detyrës, përveç me Enver Sekiraçën e grupin e tij, probleme këto që, sipas Rizës, kishin filluar që nga viti 2000, kur polici Riza kishte qenë me kolegun e tij ndërkombëtar në kryerje të detyrës në afërsi të Shkollës së Mesme të Mjekësisë. Riza tha se me këtë rast Sekiraqa kishte tentuar që në mënyrë të dhunshme t'i nxirrte tri vajza nga shkolla, rast ky në të cilin kishte intervenuar Triumfi. Më pas, Enveri, i cili po priste shokët që kishin hyrë për t'i nxjerrë vajzat nga shkolla, i është kërcënuar Triumfit me një granatë, ka thënë babai Shefqet Riza. Babai Shefqeti, i frustruar dhe me shumë dhembje, më pas rrëfeu edhe rreth ngjarjes që kishte ndodhur në 'Sviss Casino', aty ku djali i tij kishte shkuar me shokun e tij të religjionit katolik të festojnë për Krishtlindje, pasi që katër bileta Triumfit ia kishte dhënë pronari. Aty kishte ndodhur edhe një rrëmujë, pasi që kishte hyrë Enver Sekiraqa dhe grupi e tij në 'Sviss Casino'. Më pas, babai i Triumfit bëri të ditur se ky grup ia ka djegur veturën djalit të tij.
Dëshmia e vëllait
Më pas ka dëshmuar vëllai i Triumfit, Visar Riza. " Komplet familja kemi qenë të përcjellë nga Sekiraqa dhe grupi i tij, në të shumtën e rasteve në Prishtinë dhe rrugës për në fshat. Këtë e di nga vëllai. Triumfi e Adelina kanë pasur raporte shumë të mira. Adelina ka qenë e kërcënuar edhe më parë. Këtu jetoj, por kohëve të fundit jemi tërhequr në fshat për një jetë më të qetë. Një javë apo dhjetë ditë para se të ndodhte vrasja, Triumfi, duke e dërguar Adelinën te daja i saj, ka qenë në përcjellje të tyre dhe ka përmendur emrat e personave që ia kishte treguar Triumfi", ka thënë Visar Riza. Këtë përcjellje e ka konfirmuar në gjykatë edhe Adelina Ismajli, e cila tha se kjo e fundit dhe Trumfi atë ditë janë përcjellë nga tri vetura. E njëjta para gjykatës e pranoi se ka qenë në lidhje dashurie me Triumfin, dhe se me të ishte njohur pasi që motra e saj, Ema, e kishte pasur shok.
L.HUMOLLI (KosovaSot)
|
|
| |