|
|
Arberi --Pas studimeve ne Itali do te kthehem te jetoj ne Shqiperi Byy Lonushja
|
Arbri i Big Brother
Në promovim të artit shqiptar në botë dhe në mbështetje të artistëve të rinj
“Të martën, 10.0000 tapa vere për Saimir Stratin"
Arbër Cepani, fituesi i “Big Brother Albania”, në një intervistë për Gazetën “Ballkan”, flet për eksperiencën e tij në këtë “reality shoë” dhe për planet e së ardhmes. Cila do të jetë fushata sensibilizuese e radhës? Si mendon ta ndryshojë Arbri mentalitetin e shqiptarëve se edhe me pak para mund të sensibilizosh qindra mendje. Si ka qenë fëmijëria e tij mes Italisë dhe Shqipërisë? Si po vazhdon historia e dashurisë me vajzën iataliane, Madalenën… Gjithcka Arbri e rrëfen më poshtë..
Arbër tani që ka ka luar kohë , “Big Brother” të mungon apo je çliruar nga jeta e kufizuar që bëje aty brenda?
Ajo ishte një eksperiencë shumë interesante në çdo aspekt dhe unë do ta quaja të dobishme për çdo njeri. Kjo pasi ishte një eksperiment psikologjik, një sfidë me vetveten, ku mëson shumë gjëra nga vetja, që ndoshta nuk do ti kishe mësuar në rrethana të tjera në jetë. Merr shumë në raportin human, pasi në jetën e përditshme gjithçka lëviz shumë shpejt dhe ne nuk kemi kohë të përqëndrohemi me njerëzit që kemi përballë ashtu si ndodhi në Big Brother.
A je mërzitur aty brenda deri në pikën sa ti thoje vetes “po dal”?
Sigurisht që kishte raste që mërziteshim por unë u futa me idenë për të qëndruar deri në fund dhe loja ishte pikërisht kush do qëndronte më gjatë aty brenda. U futa që në fillim me idenë për të sfiduar vetveten, për të marrë diçka dhe për të dhënë diçka në atë lojë. Por që për të dalë nuk e kisha menduar kurrë pasi do leja përgjysmë atë çka i kisha premtuar vetvetes.
Si niste një ditë për Arbrin në Big Brother dhe si nis sot?
Të them të drejtën kam qenë shumë i angazhuar me fushatën dhe nuk kam rënë akoma në nostalgji për të kujtuar se sa momente të bukura kam kaluar aty brenda. Ndoshta pas ca kohe kur të bie në qetësi kam bindjen që do i kutoj me mall gjithcka të bukur dhe të shëmtuar që kam jetuar në Big Brother.
Mendoje se do ishe ti fitues pasi i bleve tipat e banorëve të tjerë?
Jo nuk e kisha menduar. Ne në filllim ishim 14 vetë pastj u bëmë 18, aty futesh me mendimin që mund të dalësh javën e parë apo të dytën, por që edhe mund të fitosh. Kandidimi bëhej çdo javë dhe ne mendonim se mund të dilnim këtë javë apo tjetrën që do të pasonte. Por që kur je aty brenda nuk e ke idenë fare se çka bëhet jashtë apo si u dukesh ti atyre që të shohin jashtë. Pra nuk e kishim fare mendjen në do fitonim apo jo. Qëllimi primar ishte ta jetonim sa më gjatë këtë eksperiencë në çdo ditë të saj. Unë them se në atë lojë fitues ishin të gjithë që nga momenti që hynë brenda.
Me cilin nga banorët e Big Brother u bëre më shumë mik?
Unë jam për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, të cilat i kam ruajtur me të gjithë. Jam i hapur, nuk kam barriera me asnjërin.
Ishte e vështirë aty brenda të krijoje miqësi pa interes?
Aty hyje për të bërë një lojë. Ti ishte një lojëtar i lojës dhe mendoje të vazhdoje lojën tënde. Në të tilla kushte mendoj se asnjë nuk u fut në Big Brother për të krijuar miqësi pasi çdo njëri nga ne e kishte një shoqëri të zgjedhur jashtë. Por prapë kjo sdo të thotë që pavarësisht se ne ishim konkurentë aty, kjo të ndalonte shoqërinë. Jo miqësi aty pati dhe them se janë bazuar në sinqeritet.
Ke bërë shumë fansa?
Fansa është ndoshta fjalë e madhe. Kam pasur gjithmonë idenë që do të ishte shumë e zmadhuar ta konisderoje veten të famshëm vetëm pse ke marrë pjesë në një reality shoë. Pra, për mendimin tim të kesh fansa duhet të kesh bërë diçka më shumë se sa një pjesmarrje e thjeshtë në një emision televiziv. Unë gjej rastin ti përshëndes me përzemërsi të gjithë ata persona që më ndalojnë në rrugë, më takojnë, përqafojnë, sepse janë ata që me votat e tyre më dhanë fitoren dhe prej këtij publiku ne kaluam një eksperiencë të bukur televizive. Më shumë se sa fansa do i quaja persona që më falin komplimenta.
Shumë atëherë menduan se Arbri fitoi pikë për premtimin që bëri se paratë do i falte për bamirësi. Ti vetë si thua fitove ti si Arbër apo të dha pikë ajo çka premtove?
Unë them që jo vetëm që nuk më dha pikë për të fituar por ndoshta ka ndodhur e kundërta. Kjo sepse në Shqipëri nuk ndodh çdo ditë që të fitosh 50 mijë euro dhe ti japësh për bamirësi. Nisur nga kjo le të themi që 95 % e shqiptarëve kanë menduar që ky po e bën këtë për të marrë vota e për të fituar lekët, apo se janë fjalët e një të riu të thëna në ajër në momente entuziazmi. Pra ky mentalitet ka ndikuar negativisht në ata çka unë deklarova që në fillim dhe se ka bërë që njerëzit të mos më besonin. Por, rezultatet treguan të kundërtën, unë e kisha seriozisht atë çka thashë dhe po vazhdoj ta mbaj fjalën. Por besoj se më kanë votuar për atë çka ishte arbri dhe jo për deklaratën time.
Familja ishte dakord që ti jepje 50 mijë eurot për bamirësi?
Po, familja më ka mbështetur gjithmonë. Madje kjo ka ndodhur dhe në raste të tjera kur nuk kemi pasur në dorë shuma lekësh si 50 mijë euro. Por me aq sa kemi pasur mundësi ata kanë rënë dakord me çdo iniciativë timen për të punuar vullnetarisht në ndihmë të njerëzve në nevojë.
Po historia jote e dashurisë me Madalenën, vazhdon?
Po vazhdon shumë, shumë mirë. Ajo ishte në Tiranë. Ka ardhur shpeshherë të më ndihmojë dhe mua në këtë fushatë sensibilizimi që kam nisur, më ka mbështetur më shumë seç e prisja, por që ajo ka dhe obligimet e veta me studimet në Itali, kështu që për momentin është atje.
Ti je rritur jashtë Shqipërisë. E konsideron fat të rritesh jashtë vendit tënd të origjinës kur mungojnë shumica e kushteve bazë për një njeri?
Mund të rritesh jashtë Shqipërisë por mund të rritesh dhe brenda Shqipërisë, por varet se si je brumosur dhe me çfarë fryme rritesh. Ka nga ata që rriten këtu dhe nuk e njohin realitetin shqiptar. Mund të jesh jashtë dhe ta njohësh realitetin e vendit tënd më shumë se sa ata që jetojnë këtu. Kam përshtypjen se nuk ka rëndësi në rritesh jashtë apo brenda Shqipërisë, por vullneti që ke për të parë çka të rrethon dhe për të parë çka ke mundësi ti për të përmirësuar atë çka të rrethon.
Si ka qenë fëmijeria e Arbrit, na kujto ndonëj histori të lezetçme nga Arbri i vogël?
Fëmijëria ime ka qenë në lëvizje, sa në Shqipëri dhe jashtë saj. Periudhën që nga klasa e parë në të pestën i kam jetuar në Shqipëri. Kanë qenë vitet e para të demokracisë, periudhë tranzicioni, atëherë nuk ka pasur kushte si tani, fëmijët argëtoheshin dhe me pak gjëra. Mbaj mend që lëshoheshim nëpër lagje nga mëngjesi deri në orën tetë të darkës, ngjanim si Tarzanë të vegjël kur vinim në shtëpi. Kam nostalgji për fëmijërinë time.
Studion në Itali. Pas diplomimit mendon të punosh atje apo do kthehesh në Shqipëri?
Unë studioj për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Barit, në Itali. E them me bindje se pas diplomimit dhe pas specializimeve përkatëse do të kthehem të punoj në Shqipëri. Jam një nga drejtuesit e rrjetit të studentëve shqiptarë në botë dhe një nga objektivat e këtij rrjeti është që truri i Shqipërisë jashtë të kthehet dhe të kontribuojë në vendin tonë. I këtij mendimi jam edhe unë. Mendoj se ka shumë peshë fjala e urtë popullore “Guri i rëndë në vendin e vet”.
Në Itali, a sheh racizëm ndaj shqiptarëve ?
Them se Italia është një popull që ka shumë ngjashmëri me shqiptarët. Kemi një lidhje shekullore kulturore apo dhe gjaku po të marrim parasysh arbëreshët ndaj dhe mua më duket se ne Itali nuk ndihet racizimi ndaj shqiptarëve aq sa mund të jetë ndjerë në vende të tjera. Po ju tregoj një rast që më ka ndodhur personalisht, dhe nuk po e tregoj për ti bërë lavde vetes. Kur isha në gjimnaz në Itali, më zgjodhën president të shkollës edhe pse e dinin që unë isha shqiptar kur njëkohësisht me mua aty studionin 1200 italianë. Ky është një shembull që tregon se po të kishte racizëm të theksuar unë nuk do isha zgjedhur. Por ai racizëm që dëgjojmë ne të flitet mendoj se është i zmadhuar, ato janë më shumë shenja injorance personale se sa kolektive.
Para pak ditësh ndërmorre një fushatë sensibilizuese, ku birësove në distancë pesë fëmijë të jetimores “Zyber Hallulli”. Si lindi ideja e birësimit në distancë dhe cili është mesazhi që përcolle?
1.Birësimi në distancë është një metodë që unë e kam marrë si model nga vendet perëndimore. Kjo është një formë përkujdesje që iu bëhët këtyre fëmijëve, me një shumë parash që mund të jetë e gël, por që nëse do e bënte gjithsecili prej nesh, ndihma do bëhej më e madhe. Por më shumë se mbështetje financiare është raporti human që kemi krijuar me këta fëmijë, një raport që vlen shumë për këta fëmijë pasi në këtë mënyrë ata ndihen më afër shoqërisë, brenda një familjeje të madhe, duke marrë atë dashuri që iu ka munguar.
Cila do të jetë fushata sensibilizuese e radhës?
Një iniciativë tjetër që unë kam ndërmarrë bashkë me një grup vullnetarësh të fushatës, “ndryshimi fillon nga ty” është mbështetja e artisëtve shqiptarë. Ne do të ndihmojmë artistin Saimir Strati i cili po bën pikturën më të madhe në botë me tapa shishe vere. Kemi mbledhur 10.000 mijë tapa në mënyrë vullnetare nëpër lokale ndërsa një pjesë është blerë. Këto tapa do i dhurohen Saimirit për të përfunduar projektin e tij në 4 shtator. Piktura e Stratit mund të shënojë një tjetër Gines botëror, çka do ti japë pikë pozitive Shqipërisë në botë aq më tepër kur bëhet fjalë për art. Qëllimi është për promovimin e imazhit të Shqipërisë në botë dhe për ndihmën ndaj artistëve të rinj, puna e të cilëve nuk është individuale por një punë që nderon kombin tonë.
Çfarë ofertash kanë mbërritur në adresën tënde pas përfundimit të Big Brother?
Aktualisht jam i angashuar me fushatën e sensibilizimit dhe në qoftë se më kanë ardhur oferta, ose nuk i kam pranuar ose i kam lënë për më vonë.(Qesh). U jam përgjigjur se do i shikoj, do i shqyrtoj, por kanë mbetur në tavolinë e nuk di nëse këto oferta do më presin. Gjithsesi konsideroj objektiv primar, fushatën që kam nisur, të tjerat them se do rregullohen pak nga pak.
Mendon se shembulli që ti kërkon të japësh nëpërmjet fushatave sensibilizuese në Shqipëri, do të ndiqet edhe nga të tjerë të rinj?
Ndodh që shpesh të takoj njerëz në rrugë dhe që më thonë, “Ça bën o Arbër, mbaj ato lekët për vete mor djalë se nuk mundesh ta ndryshosh Shqipërinë,”. Por kjo është keqkuptuar, sepse fushata “ndryshimi fillon nga ty” nuk do të thotë që ne do ndryshojmë Shqipërinë, do ishte groteske ta pretendonim këtë por ne e konsiderojmë arritje sikur të senzibilizojmë qoftë një apo dy persona. Kjo do të thotë se ajo që ne bëmë nuk shkoi kot. Dhe fakti që kjo fushatë ka mbledhur një grup vullnetarësh është një lloj dëshmie e gjallë se kjo fushatë dikë po sensibilizon.
Sa vullnetarë janë bashkuar me fushatën “ndryshimi fillon nga ty”?
Fushata nuk ka listë me numër egzakt, por çdo ditë ka kërkesa për t u bashkuar. Madje dhe nga të vjetër në moshë. Ne japim mesazhin e ndryshimit të Shqipërisë. Fushata do mbyllet në dhjetor dhe pasatj unë do iu kthehem studimeve në Itali.
Si e komenton politikën shqiptare, sa pikë do i jepje për atë çka ka arritur në këto 18 vjet demokraci?
Unë e shikoj politikën si një mjet në shërbim të qytetarëve dhe jo si një objektiv apo një ideal politik apo parti politike në vetvete. E vetmja gjë që mund të them është se çdo parti politike e majtë, e djathtë, e qendërs etj të kenë ideale kryesisht vendin e tyre dhe popullin që voton për ta. Pavarësisht ngjyrimit politik linja e përbashkët e tyre duhet të jetë interesi kombëtar. Slogani im për poltikën do ishte, ”Partia shqiptare është Shqiptaria”
I ke mbyllur pushimet për këtë verë?
Pushimet as i kam filluar as i kam mbyllur. Jam një tip që po i vura një objektiv vetes dhe nuk e çoj deri në fund stresohem dhe nuk i shijoj as pushimet. Kështu që them të përfundojë me planet e fushatës dhe pastaj do mendoj për pushimet, ndonëse vera iku. Nuk kam bërë plane se janë larg në mendjen time.
Të pëlqen arti?
Po patjetër. Dhe jo rastësisht një nga pikat tona në fushatën e sensibilizimit është fokusuar në ndihmë të artistëve të rinj, siç ishte dhe shembulli që folëm më lartë, për artistin Saimir Strati. Motivi është mbrojtja dhe promovimi i artit shqiptar në botë.
Cffarë librash lexon?
Më pëlqejnë shumë librat historikë sidomos ato për historinë shqiptare. Ne shpesh e konsiderojmë veten si popull modest, por sa më shumë e studion historinë shqiptare aq më shumë e kupton se sa e lavdishme ka qenë ajo dhe mbi këto baza historike ne të projektojmë të ardhmen. Nëse kemi qenë dikur të lavdishëm pse të mos jemi dhe në të ardhmen. Nisur nga kjo, librat historik për mua janë një mundësi e mirë për të kuptuar çfarë kemi qenë.
Ndodh që shpesh të takoj njerëz në rrugë dhe që më thonë, “Ça bën o Arbër, mbaj ato lekët për vete mor djalë se nuk mundesh ta ndryshosh Shqipërinë,”. Por ne e konsiderojmë arritje sikur të senzibilizojmë qoftë një apo dy persona.
Pavarësisht ngjyrimit politik linja e përbashkët e partive duhet të jetë interesi kombëtar. Slogani im për poltikën do ishte, ”Partia shqiptare është Shqiptaria”
Më plqejnë shumë librat historikë sidomos ato për historinë shqiptare. Ne shpesh e konsiderojmë veten si popull modest, por sa më shumë e studion historinë shqiptare aq më shumë e kupton se sa e lavdishme ka qenë ajo dhe mbi këto baza historike ne të projektojmë të ardhmen. Nëse kemi qenë dikur të lavdishëm pse të mos jemi dhe në të ardhmen.
|
|
| |