Dritan Hoxha - Homazh i Top Channel
|
Tiranë, 23 Maj, Albtoday, - Presidenti i Top Media, Dritan Hoxha ka gjetur vdekjen mëngjesin e sotëm (e Premte) gjatë një aksidenti në qendër të Tiranës. Po ashtu është gjetur e vdekur dhe një 27-vjeçare që ndodhej në makinë me të. Policia e identifikoi si 27 vjeçaren H.E., me banim në Tiranë. Kur hetuesit shkuan në vendngjarje, konstatuan se kilometrazhi i mjetit ishte fiksuar në 250 km/orë.
Një grup hetimor shkoi në vendngjarje dhe pritet të dalë me konkluzione të ekspertizës për të konfirmuar zyrtarisht shkakun e ngjarjes.
Drejtoria e Policisë së Tiranës tha se ngjarja ndodhi rreth orës 01.50 të ditës së sotme, në Bulevardin “Bajram Curri” në Tiranë.
“Si pasojë e humbjes së kontrollit të drejtimit, gjatë dhënies së automjetit në pronësi të tij, tip “Ferrari” ngjyrë e kuqe, me targa DK 3892 H, me një fuqi motorike prej 6000 kubikë, ka përshkruar në një hapësirë të plotë 82 metra, duke dalë nga rruga dhe rënë në lulishten përbri lumit të Lanës, ku për pasojë automjeti është ndarë në dy pjesë dhe është shkatërruar tërësisht”, deklaroi policia.
Sipas hetimit paraprak, “gjatë dhënies së mjetit, viktima është përplasur me një pemë dekorative (perimetri i të cilës është 3.1 metër) si dhe dy ndriçues dekorativ buzë trotuarit, në afërsi të lulishtes Çajupi në Bulevardin “Bajram Curri” në Tiranë.
Ndërkohë, si pasojë e përplasjes automjeti tip Ferrari është përplasur me pemën 3.1 metra, ku dhe pjesët e saj janë ndarë në dy pjesë.
“Në këtë ngjarje humbën jetën Dritan Hoxha, 37 vjeç, banues në Tiranë, pronar i televizionit Top Channel si dhe shtetasja me iniciale H.E, 27 vjeç, banuese në Tiranë”, - tha zëdhënësja Alma Katragjini.
Në vendin e ngjarjes, mbërritën forca të shumta policie, duke ndërhyrë menjëherë, për të dhënë ndihmën e parë të dëmtuarve, ku për pasojë shtetasi Dritan Hoxha, përgjatë rrugës për në Spitalin Ushtarak Tiranë, nuk mundi të jetonte, ndërsa 27 vjeçarja H.E., ka gjendur vdekjen e menjëhershme.
Ndërkohë, në vendin e ngjarjes ka shkuar një grup hetimor nën drejtimin e Zv/prokurorit të Rrethit Gjyqësor Tiranë Genci Qano, drejtues të Policisë së Tiranës, tre ekspertë të Institutit të Policisë Shkencore, Ekspertë të Mjekësisë Ligjore, dhe Ekspertë të Policisë Rrugore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Policia theksoi se “të gjitha veprimet procedurale janë shoqëruar me filmimet përkatëse, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes”.
K.E/AT Albtoday
|